Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se Emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, është duke punuar “ditë e natë” për të avancuar takimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Stano, në një konferencë për media, tha se Kurti dhe Vuçiqi janë ftuar në Bruksel për të diskutuar edhe për propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, apo atë që deri më tani është njohur si propozimi franko-gjerman, njofton Klankosova.tv.
“Puna vazhdon në disa nivele. Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, po punon shumë, ditë e natë, për t’i avancuar këto (diskutime). Përfaqësuesi i Lartë i fton dy liderët, kryeministrin e Kosovës, presidentin e Serbisë, të vijnë në Bruksel shpejt për të vazhduar punën pas marrëveshjes që u arrit dhe të nisin diskutimet mbi çështjen kryesore, dhe çështja kryesore është normalizimi i raporteve bazuar në propozimin e lehtësuesve të BE-së”, theksoi Stano.
Në fund, ai tha se kurdo që të ketë zhvillime tjera, do ta njoftojnë opinionin.