Kanë shënuar edhe një rritje në Kosovë çmimet e karburanteve. Brenda një dite, për gati 10 centë është shtrenjtuar litri i naftës dhe ai i benzinës. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve thotë se çmimi po ndikohet nga bursa ndërkombëtare. Por, ekonomistët kanë vërejtur se operatorët po aplikojnë dy standarde, meqë ata nuk po i ulin çmimet në momentin kur vlera e derivateve bie në bursë
Litri i naftës e edhe ai i benzinës kushtuan të premten rreth 10 centë më shtrenjtë se një ditë më parë.
Në këso lloj shpejtësie po vazhdojnë të lëvizin çmimet e derivateve që shiten me pakicë në Kosovë.
Çmimi i naftës të premten ka shkuar në 1.74 centë për litër, njësoj edhe benzina ka shkuar në 1.76 centë. Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, kjo po reflektohet nga tregjet ndërkombëtare. Edhe pse çmimi i naftës është ngritur, kryetari i kësaj shoqate thotë që interesimi i konsumatorëve për t’u furnizuar me derivate nuk vërehet të ketë rënë.
Sipas Fadil Berjanit, nuk mund të parashikohet nëse do të ketë ndryshim të çmimeve të naftës, meqë thekson se lëvizjet vazhdojnë të jenë të mëdha në bursën ndërkombëtare.
Por, ekonomisti Erton Bega thotë se në Kosovë operatorët nuk po i ulin çmimet kur nafta po shënon rënie në bursë.
“Zakonisht po ndodh që kur po rritet çmimi në berzë, kemi rritje të çmimit në Kosovë brenda ditës, përderisa kur kemi rënie të çmimit në berzë, zbritja e çmimeve në Kosovë po merr shumë kohë sepse kjo po përdoret nga bizneset për të maksimizuar profitet e tyre dhe për rrjedhojë qytetarët po vazhdojnë të paguajnë çmime më të shtrenjta se që ishte dashur të paguanin”, ka thënë ai.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ktheu përgjigje gjatë ditës, në pyetjet e KOHËS për reagimin e shtetit, por edhe për inspektimet e mundshëm për të verifikuar nëse ka abuzime me çmimin e karburanteve.
Për lëvizjen e këtillë të çmimeve, ekonomisti Bega i vë faj edhe Qeverisë.
“Ulja e tatimit në vlerën e shtuar në produkte të caktuara apo edhe reduktimi i akcizës në produktet që kanë akcizë, siç janë në këtë rast derivatet e naftës dhe kjo do të duhej të sillte efekt imediat në zbritjen e çmimeve, por Qeveria nuk ka marrë një masë të tillë deri tash dhe një prej shkaktarëve të këtij çmimi të shtrenjtë është edhe mosndërmarrja e masave prej Qeverisë”, ka deklaruar Bega.
Rritja e çmimit të naftës nisi me të nisur pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksioneve ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë./KOHA