Brenda teatrit të Aleksandar Vuçiq, 25 minuta “shpërthim” kundër QUINT’it dhe “Hegelit e Zelenskyit”

Pak orë pasi qeveria e Kosovës dje mori vendim që qytetarët e Serbisë duhet t’i regjistrojnë automjetet me targa RKS dhe do të obligohen që të pajisen me fletë-deklarim kur hyjnë në Kosovë, Aleksander Vuçiq thirri konferencë për media duke shprehur mllefin për vendimin e qeverisë së Kosovës, vendim të cilin Serbia e zbaton për qytetarët e Kosovës që kalojnë kufirin për më shumë se një dekadë shkruan Gazeta Express.

Vuçiq në një adresim 25 minutësh u shpreh se qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti të mendojë tri herë para 30 shtatorit, datë kur skadon afati për regjistrim të automjeteve të serbëve me targa RKS. Në adresimin e tij, plotë teatralitet ai simulonte nervozë duke e sulmuar QUNT’in ndërkohë që e veçonte Amerikën e cila për vendimin e Kurtit, sipas tij, ka më pak faj. Vuçiq madje tha se serbët e Veriut nuk do të durojnë më, derisa u kujtua t’i përmend edhe ndërhyrjet e policisë së Kosovës në Veri.

Ish-ministri i Informacionit gjatë regjimit të Millosheviqit, tha se Prishtina zyrtare “po dëshiron t’i dëbojë serbët, me një stuhi të re” duke iu referuar operacionit luftarak të vitit 1995 të ndërmarrë nga Kroacia që ishte koduar “Stuhia” për t’i rikthyer territoret e Kroacisë të okupuara nga Serbia gjatë luftës katër vjeçare.

Ai tha se vendimi i qeverisë së Kosovës është përkrahur fillimisht nga Britania e Madhe dhe Gjermania dhe QUINT-i.

“Ata kanë marrë vendime që kanë vetëm një qëllim dhe ai është që t’i dëbojnë serbët nga veriu, të krijojnë një Stuhi të re, ku ata do të udhëheqin një kampanjë për dy muaj që t’i bindin serbët t’i regjistrojnë tabelat me RKS”, u shpreh Vuçiq.

Vuçiq tutje tha se “kanë vuajtuar nga gënjeshtrat e QUINT-it”.

“Nëse nuk i bindin serbët, atëherë do t’ua marrin jo vetëm targat por edhe makinat. Ne kemi vuajtur nga gënjeshtrat për vite të përfaqësuesve të QUINT-it dhe të shqiptarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Duke folur për Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të cilën Serbia s’e ka respektuar, Vuçiq tha se “kanë përmbushur gjithçka”.

“Që nga Marrëveshja e Brukselit, serbët kanë përmbushur gjithçka. Ajo që Prishtina duhet ta përmbushë s’e ka përmbushur. Si është e mundur që perëndimi dhe QUINT-i të jenë të heshtur dhe kur serbët vendosin baner të Asociacionit burgosen”, tha Vuciq.

Vuçiq shkoi aq larg në fjalimin e tij sa që tha se autoritetet e Kosovës do ta sulmojnë veriun më 1 tetor.

“Ata s’do të vuajnë më, nuk do të tolerojnë njësitet speciale në veri më. S’do ta bëjnë këtë. Afati i vendosur nga Prishtina për targat është 30 shtator që nënkupton se më 1 tetor do të planifikojnë një sulm të përgjithshëm në veri”, tha ai.

Presidenti serb tha se s’ka asgjë nga dialogu pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa dhe dokumente të udhëtimit.

“S’ka asgjë, lëreni atë dialog, janë tregime boshe. Çfarë dialogu, pas këtyre vendimeve”, u shpreh Vuciq. Ai tha se me ndërmjetësin e BE’së e kishte anuluar konferencën për media, për të dalë vet para gazetarëve. Ndërkohë që, për Lajcakun, të cilin e pati mysafir dje nuk tha fjalë të këqija. “ Njeriu po e bën punën e tij.

Tutje Vuçiq ka thënë se kryeministri Kurti ëndërron që ai të jetë sikur presidenti ukrainas Zelensky.

“Kurti do të dëshironte, ai ëndërron që është Zelensky, nganjëherë ai ëndërron që ai është Hegeli. S’jam i shqetësuar për të, jam i shqetësuar për ata që e shtyjnë atë”, tha presidenti serb.

Vuçiq deklaroi se edhe një shtet ka tërhequr njohjen për Kosovën, por si zakonisht pa përmendur emra.

“Ne kemi edhe shtetin e pestë që ka tërhequr njohjen e Kosovës dhe jam duke i pritur ata që të fillojnë procedurën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare në mënyrë që t’ua tregoj të gjitha letrat që kam”, tha ai në konferencë.

Qeveria e Kosovës dje miratoi vendimin që veturat me targa të autoriteteve të Serbisë të regjistrohen me RKS dhe për këtë kanë vendosur afatin kohor nga 1 gushti deri më 30 shtator.

Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se ri regjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.

Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, u miratua edhe udhëzimi për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas tij, të gjithë ata persona që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet serbe, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.