Në seancën e së hënës në Gjykatën e Apelit, Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, tha se pasurinë e tij nuk e ka krijuar me hajmalia e fall, por me biznese me familjen e tij dhe se gjykata nuk mund të bazohet me qime, me flokë e me dhe.
Këto deklarime, Peqani i bëri para kolegjit të Gjykatës së Apelit, ku u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), e cila ka kërkuar nga Apeli dënim më të ashpër ndaj “Burdushit”, si dhe ajo e mbrojtjes, e cila ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim ose i njëjti të lirohet nga të gjitha pikat e akuzë.
Më 10 janar 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar “Burdushin” me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.
Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ka ushtruar edhe vetë i akuzuari Peqani, i cili tha se qëndron në tërësi pranë ankesës dhe po ashtu i ka përkrahur avokatët e tij.
“E nderuara Gjykatë e Apelit, e nderuara drejtësi, e dini shumë mirë që nga viti 2014, pastaj arrestimin tim në 2018, janë bërë shumë shkelje pa bazë, pa fakte. Unë me hajmali nuk e kam kriju pasurinë e me fall, e me filxhana. Pasurinë e kemi fitu e nderuara gjykatë me krejt familjen time, me babë e me vllazni që 70-80 vjet para luftës”, tha Peqani drejtuar Apelit.
Peqani tha se tërë pasurinë e tij e ka krijuar me bizneset që ka punuar bashkë me familjarët e tij ndër vite.
“Kemi punue me aktivitete tona, vëllai im i ndjeri ku prej presionit vdiq, kemi punu me sisteme alarma, kamera që ka punu për Gjykatë e Prokurori për mbajtjen e sigurimit të stacionit të policisë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, kemi bërë riparime, e gjithë pasuria jem nuk u fitu me hajmalia e me falla, derisa isha në liri e nderuara gjykatë asnjë dëshmitar nuk e kam pas unë që m’ka akuzu në polici apo të paktën m’ka thirrë në telefon”, tha tutje i njëjti.
Ndërsa, shtoi se asnjëherë nuk ka shitur ilaqe farmaceutike, por vetëm gjëra shpirtërore.
“Duhet me pas fakultet të kryer, mantillin e bardhë për me shit ilaqe, unë kom shit sene shpirtërore, qysh munet me u bazu gjykata me kime e me flokë e me dhe, duhet m’i kuptu do gjana e nderuara gjykatë”, deklaroi Peqani.
Sipas tij, asnjë njeri në botë nuk është dënuar për një hajmali e një të fryme.
“Unë kom punu si krejt të tjerët, babë e babagjysh e stërgjysh, asnjë njeri në botë nuk u dënu për një të fryme, për një hajmali, puna jonë është krejt shpirtërore, edhe pse s’i kemi pranu në kushte dhe kodet e Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Krejt në fund, ai ua drejtua gjykatës duke pyetur “Unë si emër që u bëra kinse publik, si komunitet i një pakice që i takoj, a veç për mua vlen ky ligj, a edhe për hoxhallarë që shkruajnë, që fryjën e që qesin falle?”.
Kundër këtij vendimi, ankesë ka ushtruar Prokuroria Speciale për shkak të vendimit mbi dënimin e cila po kërkon dëmin më të ashpër ndaj Peqanit.
Në anën tjetër, mbrojtësit e Peqanit, avokatët Feim Alaj dhe Durim Osmani kanë ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore dhe ato për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimit të dobisë pasurore juridike, si dhe për shkak të vendimit mbi publikimin e aktgjykimit.
Përmes ankesës, avokatët Alaj dhe Osmani kanë propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje dhe rigjykim ose të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe i mbrojturi i tyre të lirohet nga të gjitha pikat e aktakuzës.
Po ashtu, ata kanë kërkuar që pasuria e tundshme dhe e patundshme e konfiskuar të lirohet.
Ndërsa, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që të aprovohet ankesa e PSRK-së, ndërsa ankesa e mbrojtjes të refuzohet.
Gjatë elaborimit të ankesës, avokati Osmani ka thënë se në rastin konkret ka pasur edhe një tejkalim të akuzës.
“Gjykata në dispozitivin 1 të aktakuzës sa i përket veprës penale “Ushtrimi i palejuar i veprimtarisë mjekësore”, ka përcaktuar se kjo është vepër e ndërlidhur penale me veprën penale “Pastrim i parave” nga neni 302, të KPK-së, mirëpo, në dispozitivin e aktakuzës së ndryshuar të datës 23.12.2022, vepër e ndërlidhur penale ka qenë vepra penale e “Mashtrimit”. Gjykata, në rastin konkret nuk ka pasur të drejtë të ndryshojë përmbajtësisht tezën/dispozitivin e aktakuzës sa i përket veprës penale të ndërlidhur penale, ngase nuk ka të drejtë në aspektin procedural”, thuhet në ankesën e avokatëve.
Po ashtu, thuhet se tejkalimi i aktakuzës e dëmton substancialisht pozitën procedurale të të akuzuarit.
Mbrojtja po ashtu, pretendoi se ka pasur edhe diskrepanca në mes shpalljes së aktgjykimit dhe aktgjykimi të përpiluar, sa i përket konfiskimit të pasurisë.
E për këtë, avokati Osmani tha se kjo paraqet mosseriozitetin e gjykatës para shpalljes së aktgjykimit.
“Gjykata jo vetëm që ka bërë tejkalimin e aktakuzës, e njëjta ka “tejkaluar” shpalljen e aktgjykimit të datës 10.01.2023, p.sh në shpallje konfiskohet e gjithë pasuria e patundshme dhe jo e tundshme, ndërsa në faqen e aktgjykimit e ka liruar parcelën me shenjë 6970-0, me sipërfaqe prej 3256 m2, në vendin e quajtur Atmejdan në Prizren”, thuhet në ankesën e mbrojtjes.
Ndryshe, në seancën e 23 dhjetorit 2022, prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare ka njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo tha se kualifikimi i veprës penale është i njëjti.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.
Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkonte të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.
Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, raporton betimiperdrejtesi.