Minishengeni ballkanik është një iniciativë që izolon Kosovën dhe u shërben vetëm interesave të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Kështu u shpreh studiuesi Enver Bytyçi në studion e “Absolut 4” teksa komentoi edhe takimin e sotëm virtual të 3 liderëve Rama-Vuçiç-Zaev. Sipas tij kjo nuk është nismë e BE, por Rama dhe Vuçiç duan të realizojnë synimet e tyre që Serbia të shtrihet në jug.
“Minishengeni nuk është ide e Bashkimit Europian, është mbështetur nga lobe të ndryshme nga SHBA por jo drejtpërdrejt nga eksponentë të SHBA. Nga BE nuk kam dëgjuar ndonjë personalitet. Minishengeni është më pak se mini-mini-shengeni për shkak të mospjesëmarrjes së gjysmës së rajonit dhe kjo tregon që nuk është iniciativë europiane. Rama e Vuçiç kanë nevojë për këtë iniciativë se duan të realizojnë disa projekte me interes për të dy palët”.
Bytyçi thekson se ka informacione që firma të ndryshme serbe po regjistrohen në Shqipëri, ku po tentohet që të jenë ortakë edhe në portet shqiptare.
Minishengeni synon që Serbia të shtrijë ndikimin e saj në jug që ka mbështetje nga kryeministri shqiptar për ta realizuar këtë ambicie të Serbisë. Kam informacione që firma të ndryshme po regjistrohen kohet e fundit në Shqipëri ë të qenë prezentë në konkretizimin e këtyre synimeve. Tentojnë të jenë ortakë edhe në portet shqiptare. Minishengeni është iniciativë që izolon Kosovën. Nuk ndryshon asgjë në raport me Kosovën”.
Sipas Bytyçit, Rama po punon në interes të Serbisë dhe prandaj Kurti është kundër minishengenit ballkanik.
“A do lejonte Vuçiç që të kalohej me pasaportën e Kosovës në Serbi? A do ta pranonte kufirin një shtet që nuk pranon një kufi dhe është iniciator i kësaj inciative? Synon izolimin e këtij shteti duhet zgjidhur problemet politike pastaj të flitet për minishengen. Ka rakordim mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit serb për të shkaktuar probleme me Kosovën dhe prandaj Kurti është kundër minishengenit ballkanik. Kur Kosova nuk u përfaqësua në Shkup, Rama bëri akuzë publike që Kosova po izolohet. Rama punon me Vuçiçin jo për interesat e Kosovës dhe Shqipërisë, por të Serbisë. Pa e njohur shtetësinë e Kosovë ka zero shanse që Kosova të jetë e barabartë në këtë. Serbia nuk lejon që Kosova të jetë e barabartë me shtet e tjera dhe për këtë arsye Kosova e refuzon këtë iniciativë e cila është në dobi të Serbisë dhe aspak në dobi të Kosovës. Takimi i sotëm ishte kundër interesave të Kosovës e Shqipërisë, por edhe antieuropian. Rama po e mbështet Vuçiç edhe me sulmet që i bën BE për t’i imponuar një zgjidhje të pranueshme për Serbinë në dialogun për Kosovën”.