Çfarë fshihet pas tërheqjes ruse nga Khersoni?

Arsyetimi për tërheqjen nga Kherson u dha me fjalë nga komandanti i kontingjentit rus, Sergei Surovikin, dora e hekurt, “nuk ishim më në gjendje ta furnizonim atë”. Për këtë arsye, ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu iu desh të nxirrte urdhrin për të cilin ishin përgatitur: një komunikim i lënë në dorë ushtarakëve, por me implikime politike.

Qyteti, i vetmi i pushtuar nga rusët në perëndim të lumit Dnipro, është në fakt themelor për Kremlinin. Rajoni i Khersonit ndodhet mbi Krimenë e pushtuar ushtarakisht nga Putin në 2014, dhe prej këtu mbërrijnë furnizimet me ujë për gadishullin përmes një kanali që nga periudha sovjetike , në fakt i bllokuar tetë vjet më parë nga ukrainasit dhe rihapur nga rusët pas pushtimit.  Nga Kherson kalon milja e fundit e korridorit që lidh Krimenë nga toka me shtetin amë, aktualisht i aksesueshëm vetëm përmes urës Kerç, ajo e goditur nga ukrainasit muajin e kaluar.

Edhe për ushtrinë e Zelenskit, ripushtimi i Khersonit do të ishte me rëndësi jetike, një fitore simbolike në aspektin ushtarak dhe diplomatik.  Orët në vijim do të tregojnë më shumë për mënyrat, situatën reale, humbjet, ndonjë surprizë.  Pushtuesit, megjithatë, kishin ngritur tashmë tre mbrojtje në bregun e djathtë të Dnipro-s, një zgjedhje e llogaritur në funksion të muajve që priten të jenë të vështirë.  Dhe ka ende dyshime mes disa “strategësh” se Moska po përpiqet të joshë rezistencën drejt një kurthi, rrezik i përmendur shpesh herë prej tyre.

Lëvizjet ruse

Me një sërë postimesh, ish gjenerali australian Mick Ryan përmblodhi se cilat mund të jenë lëvizjet e palëve.  Le të fillojmë me pushtuesit.

Vazhdimi i narrativës së një lufte mbrojtëse kundër NATO-s, edhe për qëllime të brendshme.  Shantazh energjetik ndaj Perëndimit për të ndikuar në ekonomi dhe për të shfrytëzuar pakënaqësinë e opinionit publik.  Vazhdimi i bastisjeve për të shkatërruar infrastrukturën civile dhe goditjet strategjike.  Dobësimi i mburojës kundërajrore të Ukrainës, e cila aktualisht po forcohet me bateri të reja (Nasams, Hawk…).

Garantimi i sigurisë në zonat e pushtuara, paralelisht përshpejtimi i procesit të rusifikimit.

Mbajtja e armiqve të zënë në kufirin me Bjellorusinë dhe në sektorë larg “zemrës” së konfrontimit, Krimesë dhe rajoneve të diskutueshme.  Përmirësimi i logjistikës dhe efikasitetit të departamenteve të reja të mandatuara në front.

Lëvizjet ukrainase

Ushtria e Zelensky -t, sipas Ryan, si dhe vëzhguesve të tjerë, ka prioritetet e mëposhtme.  Ruajtjen e fluksit të ndihmës ushtarake nga NATO, me integrim më të madh. Strategjinë e korrozionit, për të lodhur pushtuesit në betejë por edhe në moral. Furnizimet me mjete adekuate – në veçanti tanke, mjete të blinduara, anti-dronë, kundërajrorë – duke qenë kështu në gjendje për manovra të shumta dhe të koordinuara.

Të sensibilizojë Perëndimin që mbështetja të mos dështojë ose të mos vakëtohet, siç duket se sinjalizojnë qëndrimet e disa prej republikanëve amerikanë dhe disponimet evropiane.

Ditët e fundit është përsëritur se mund të ketë hapje të ardhshme negociatash, por fillimisht Kievi duhet të sjellë një sukses të rëndësishëm në terren.

Edhe Vladimir Putin ka nevojë për fitore, një synim që duhet arritur me kontrollin e sa më shumë territori ukrainas.

Klima

Mediat kërkojnë këshilla nga ekspertët për motin dhe operacionet.  Balta e shkaktuar nga shiu intensiv pengon fluturimet e dronëve (aq të rëndësishëm për sulmet dhe ndihmën e artilerisë), është pengues për automjetet me rrota dhe në disa raste edhe për mjetet me zinxhir. Këtë e kemi parë muajt e fundit me të gjitha llojet e automjeteve, përfshirë edhe tanket, të bllokuar nga balta.

Kjo i detyron ata të lëvizin në rrugë dhe për pasojë mund të jenë preh i kurtheve.

Në teori duhet të favorizojë ata që janë në mbrojtje.  Megjithatë, me uljen e temperaturave, toka bëhet më kompakte dhe ndoshta rikthen lëvizshmërinë e tankeve.  Situatë e ndryshme për ushtarët, të rrezikuar nga ngrirja në pozicione dhe llogore, me nevojën për t’u ushqyer, për të pasur kamuflazh adekuat dhe çanta gjumi.

Kanadaja, Gjermania, vendet baltike, SHBA-të i kanë vënë tashmë në dispozicion stoqet e tyre me dhjetëra mijëra “komplete”, por nëse ato janë shpërndanë më pas nëpër departamente, kjo është për t’u parë.  Moska, nga ana tjetër, do t’i ishte kthyer Koresë së Veriut: tre fabrika po prodhojnë uniforma “dimërore” të cilat do të transferohen me tren.

Shkëmbimi

Boshti Iran-Rusi mbetet gjithmonë në provë.  Sipas rrjetit britanik “Sky”, Moska u pagoi mullahëve 140 milionë euro në gusht dhe dërgoi disa sisteme luftarake të kapura në Ukrainë.  Në veçanti, antitank Javelin (amerikan), Nlaw (anglezë) dhe anti-ajror Stinger.

Një paketë në valutë dhe mjete në këmbim të pajisjeve të luftës.  Supozimi është se iranianët, siç bënë për dronët, mund të përpiqen të kopjojnë dhe prodhojnë versione të tyre.  Mbeten gjithnjë dyshimet për efektivitetin aktual të modeleve, edhe pse shumë varet nga skenari ku do të përdoren.

Në atë ukrainas, dronët e dhënë nga ajatollahët, edhe pse jo të sofistikuar, kanë shkaktuar dëme.  Ndërkohë, agjencia ruse “Tass” ka njoftuar vajtjen e një misioni në Teheran me në krye Nikolay Patrushev, kreu i këshillit të sigurimit të Kremlinit.

Në deklaratën zyrtare përmendet bashkëpunimi ekonomik dhe ndërkombëtar.  Vizita bëhet paralelisht me informacione të vazhdueshme për furnizime të tjera nga regjimi islamik, me drone-kamikaze e deri te raketat tokë-tokë, pajisje të nevojshme për të vazhduar fushatën terroriste.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post