Në mes të gushtit, një grua që bënte pazar në një qendër tregtare në Malmo, Suedi, u qëllua aksidentalisht nga një person i armatosur për të cilin policia më vonë ka thënë se kishte në shënjestër një anëtar të një bande rivale, shkruan Politico.
Vetëm disa ditë më vonë, një grua dhe një fëmijë u goditën nga plumbat gjatë një shkëmbimi zjarri – që dyshohet se ishte mes bandave rivale – pranë një sheshi lojërash në qytetin e Eskilstunas.
Për suedezët, këta janë tashmë tituj të njohur, shqetësues që mbushin rubrikat e mediave vendase për javë të tëra. Ky vit është në rrugën e duhur për të qenë më vdekjeprurësi në valën tashmë famëkeqe të dhunës që ka prekur vendin skandinav.
“Jemi të tmerruar nga ajo që po ndodh këtu”, komenton një qytetare e Eskilstunas, e cila nuk ka dashur të zbulojë emrin e saj nga frika e hakmarrjes nga kriminelët vendas. “Kjo nuk është hera e parë që ka të shtëna në këtë zonë”.
Konfliktet mbi kontrollin e tregut të drogës po evoluojnë në një spirale dhune në rritje, sipas zyrtarëve të policisë lokale. Shefi i policisë, Mikael Backman, ka thënë për mediat pas të shtënave se vetëm një javë më parë oficerët e tij kishin sekuestruar shumë armë dhe arrestuar gjashtë persona.
“Ne po koordinojmë burimet nga i gjithë vendi”, deklaroi Backman, “por problemet janë më serioze”, pranoi ai.
Statistikat deri në mesin e gushtit tregojnë se 44 persona u vranë dhe 66 u plagosën në Suedi këtë vit. Në të gjithë vitin 2021, 45 persona u vranë dhe 115 u plagosën.
Stokholmi, qyteti më i madh i Suedisë, regjistroi shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit këtë vit (21), i ndjekur nga rajoni jugor që e rrethon Malmo (11).
Ekspertët vënë në dukje se Suedia tani dallohet në Evropë në atë që konfrontime të tilla të dhunshme janë në rritje, ndërsa në vende të tjera shkalla e dhunës së armatosur po bie me shpejtësi. Pamëshirshmëria dhe brutaliteti i botës së krimit vendas filloi ta vë në pikëpyetje reputacionin e gjatë të Suedisë si një vend i sigurt.
“Tendenca e re me të cilën po përballemi tani është se kriminelët qëllojnë me qëllim për të vrarë kushdo që i del përpara”, komenton Manne Gerell, profesor i asociuar i kriminologjisë në Universitetin Malmo.
Këto statistika janë në fokus të zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme të Suedisë, të cilat janë më pak se një javë larg. Vlerësohet se vendi po përballet me një garë të ngushtë mes ish-kryeministres Magdalena Andersson , socialdemokrate, dhe Ulf Kristersson, kreut të një partie të moderuar të qendrës së djathtë.
Opozita kritikon qëndrimin e pushtetit se është shumë i butë ndaj krimit dhe për tolerimin e dhunës që përshkallëzohet në komunitete për një kohë të gjatë. Ata theksojnë se qeveria do të dështojë në planin e saj për të punësuar 10 mijë policë më shumë deri në vitin 2024.
Ekspertët tregojnë gjithashtu për problemet themelore sociale në vende si Arby, ku krijohet sistematikisht një mjedis i favorshëm për krimin. Michael Tarnfalk , një studiues i punës sociale në Universitetin Uppsala, u shpreh në një emision suedez të mëngjesit javën e kaluar se nivelet e larta të imigracionit gjatë viteve të fundit kishin çuar në rritje të dhunës në disa periferi – duke i bërë ato të cenueshme nga pikëpamja sociale dhe ekonomike.
Fëmijët në këto periferi janë në rrezik të shtuar për t’u rekrutuar nga bandat lokale, anëtarët e të cilave tashmë kanë fituar shuma të mëdha parash. Në një komunitet të varfër, këta njerëz janë veçanërisht të dukshëm – ata veshin rroba të shtrenjta ose drejtojnë vetura luksoze.
Autoritetet lokale po përpiqen të mobilizojnë institucione të ndryshme sociale për t’i ndihmuar këta fëmijë të kërkojnë punë dhe të ofrojnë një lloj rrjete sigurie. Por në një park aty pranë në Arby, një nënë 33-vjeçare me djalin e saj tund kokën: “Duhet të largohemi nga këtu. Këtu nuk është vendi për të rritur një fëmijë”.