Cilat shtete kanë nëndetëse bërthamore, që përplasën ShBA-në me Francën

Marrëveshja e nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë, e cila do t’ia mundësojë kësaj të fundit prodhimin e nëndetëseve bërthamore, ka shkaktuar përplasje të ashpër mes dy vendeve aleate të NATO-s.

Australia kishte më herët marrëveshje me Francën për prodhimin e nëndetëseve që funksionojnë me energji bërthamore. Vlera e marrëveshjes ishte 40 miliardë dollarë. Megjithatë, pas nënshkrimit të paktit të ri me Shtetet e Bashkuara, Australia e la Francën në baltë. Kjo shkaktoi reagim të ashpër nga fuqia evropiane.

“Kjo është thikë pas shpine, vendim absurd dhe i njëanshëm. Ajo që bëri Bideni ma kujton shumë atë që bënte Trumpi”, ka thënë ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian.

Marrëveshja trepalëshe u kritikua edhe nga Kina, e cila tha se pakti përbën shkelje të zotimit të Australisë për të mos siguruar armë bërthamore. Por cilat shtete në botë kanë nëndetëse bërthamore?

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, vetëm gjashtë shtete kanë nëndetëse bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe India, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.


Shtetet që kanë nëndetëse bërthamore (Burimi: Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike; Grafiku: BBC)
Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti nëndetëse me energji bërthamore të armatosura me raketa balistike – 14 të tilla. Përpos tyre, ShBA-ja e ka edhe numrin më të madh të nëndetëseve tjera sulmuese – 54.

Në vendit e dytë në këtë aspekt është Rusia. Federata Ruse ka 11 nëndetëse me energji bërthamore të armatosura me raketa balistike dhe 18 nëndetëse tjera sulmuese.

E treta është Kina. Shteti me popullsinë më të madhe në botë ka gjashtë nëndetëse me energji bërthamore e të pajisura me raketa balistike dhe gjashtë nëndetëse tjera sulmuese.

Në vendin e katërt radhitet Britania e Madhe me katër nëndetëse me energji bërthamore e me raketa balistike si dhe shtatë nëndetëse tjera me kapacitet sulmues.

E pesta është Franca, e cila gjithashtu ka katër nëndetëse me energji bërthamore dhe raketa balistike e katër nëndetëse tjera sulmuese.

Në vendin e fundit radhitet India. Shteti me popullsinë e dytë më të madhe në botë ka vetëm një nëndetëse me energji bërthamore e raketa balistike dhe nuk ka ndonjë nëndetëse tjetër sulmuese.

Përktheu: Nasuf Abdyli