Marlind Ymeraj, është një nga ato drejtues mjetesh që i bën rrugët e Shqipërisë të përgjaken kaq shumë nga aksidentet tragjike dhe meriton një dënim shëmbullor për shkak të rrezikshmërisë publike që paraqet.
Këtë herë papërgjegjshmëria ka kaluar çdo kufi, ai nuk ka vetëm veten në rrezik, por por edhe të efektivëve të policisë. Brenda 10 ditëve ai është gjobitur 3 herë për manovra të rrezikshme, por kjo nuk e ka ndalur në “marrëzinë” e tij, që sot ka arritur kulmin. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, ai po kryente manovra të rrezikshme me mjetin e tij ‘Benz’ në Tiranë. Policia ka shkuar për ta ndalur, por ai sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka shtuar shpejtësinë duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar.
Në ndihmë të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar edhe Forca e Posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e tjera, të cilët i kanë bllokuar rrugën automjetit, në bulevardin “Gjergj Fishta”, me qëllim që të ndalonte, por 33-vjeçari përsëri nuk i është bindur urdhrit për ndalim, duke aksidentuar mjetin e Policisë dhe efektivin e “Shqiponjave” dhe më pas është larguar. Nga sa mësohet, Punonjësi i policisë S. L. ndodhet në spital, pasi ka marrë dëmtime të rënda në pjesën e gjymtyrëve.
Ai ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke aksidentuar dhe një mjet tjetër të Policisë, por më pas është bërë i mundur ndalimi, neutralizimi dhe prangosja e tij. Për pasojë, Policia Rrugore i ka hequr patentën, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë dhe qarkullim në sens të kundërt, i ka vendosur gjobë 100.000 lekë dhe i ka bllokuar ‘Benzin’ për 1 muaj. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar foton, ku shihet qartë që përplasja ka qenë shumë e fortë, sa makina e policisë ka marrë dëmtime të mëdha.
33-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për vjedhje. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Shkatërrim i pronës” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.