“Çmenduria” e britanikëve, a po gabojnë si italianët?!

Një ndër arsyet e përhapjes me shpejtësi të koronavirusit në Itali është komentuar se ka qenë edhe mosrespektimi i masave në ditët e para nga të rinjtë, të cilët vijuan jetën e tyre duke frekuentuar lokalet e natës.

Gabimi i italianëve duket se tashmë po përsëritet edhe nga britanikët, të cilët vijojnë të frekuentojnë lokalet e natës, pavarësisht rrezikut nga koronavirusi.

Ndërkohë, reagime të ashpra ka pasur edhe ndaj Tim Martin, drejtorit të përgjithshëm të “JD Wetherspoon”, një rrjeti pub-esh e lokalesh në Britani. Ai nuk ka pranuar të mbyllë biznesin e tij, duke thënë se mjafton që klientët të respektonin distancat dhe të uleshin në tavolina të ndara.

Ai rriti zemërimin te qytetarët pas një interviste të dhënë për “Sky News”, ku u shpreh se përhapja e koronavirusit është më e lehtë të ndodhë në supermarkete se sa në lokale. “Supermarketet janë të mbipopulluara me njerëz, ndërsa lokale me shumë më pak. Nuk ka pasur asnjë rast të përhapjes së virusit në lokale dhe unë nuk kam pse t’i mbyllë ato”, është shprehur Martin.

Deri tani, në Britani janë konfirmuar mbi 3200 të prekur nga koronavirusi dhe 144 të vdekur.