Çun Lajçi: Albin Kurti është më i duhur, por ne kemi fjetur 20 vite në myk dhe jemi trullosur, e nuk e dimë kush është i mirë e kush beter

Aktori Çun Lajçi ka reaguar pas intervistës së kryeministrit Albin Kurti në RTV Dukagjini.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka kritikuar analistët, të cilët gjuanin gurë e binin gurët para këmbëve e i thoshin Kurtit të mos fliste si profesor, përcjell Bota sot.

Lajçi ka thënë se ne nuk e duam të mirin, dijen, mençurinë, pafajësinë, bujarinë.

Ai ka thënë se Albin Kurti është më i duhur, por ne kemi fjetur 20 vite në myk dhe egjra na ka trullosur, andaj nuk e dimë kush është i mirë e kush beter.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Albin

Nuk u jetueka prej letrave, as prej t’shameve që po m’i bajnë kundërshtarët tu, e pensioni ma mjeran se virusi, por me beso, se s’do t’jem i yti. A din pse? Se Ty nuk t’shkrova kurrë poezi, si para ardhësve tu, që m’lanë rrugëve tue shitë libra, por s’po m’len ndërgjegja pa t’shkru!

“Mos na mbaj fjalim si profesor!”

– Prit bre, prit, se unë po dua me dvet për Agimin!

– O jo bre, po le t’kallxon ky, pse asht kundër amerikanve?

– Jo more, po le t’na kallxon, pse s’i ka ble 3 këmisha e me shkua n’Vashington?

Dhe, gjuheshin si gjelat n’pleh, dy punëtorë t’nji televizioni, që mbanë emnin e Dukagjinit t’madh, njeni xhagajdur Pandur e tjetri nga fidanishtja Fidan!

Çfarë mjerimi o Zoti madh!

As me shartua s’dishin, e me thika n’fidanishte ishin hi.

E kishin marrë nga nji gur, me i tutë sorrat n’ara, e gurtë iu bishin para kamve!

Ata po mundoheshin me kurthua, nji kryeministër, që e citonte Kantin, e këta gjelat, t’mësuem me folë me rojet e kazinove t’Zvicrrës, e hajnat e farmerkave t’Dietikonit, i mëshojshin Kantit me krroçen e profesorit! Po, se kujtojshin se Kanti asht kantë berllogu, e s’dojshin me ndëgjua, jo, u vinte randë më mësua diçka, e me injorancën e t’paditunve, i thojshi; le ti mos na mbaj fjalim si profesor, po hajde t’bajmë muhabet!

– Ai qeshte, nuk gërdhuzej, as thinthin si gjarpni se nxirrte.

I shikonte, e sytë i thojshin:

Pse jeni kaqë mjeranë?

Pse mashtrohi kaqë leht?

Pse veç grushtit i tuteni?

A po e shihni se fjala e drejt iu vret, e gjak nuk qet!

Pse duhet t’u besoni vetëm atyne, që rrejnë, që m’thonë ti je antiamerikan?

Po pse duhet t’jem unë kunder shliruesit tim?

Kur thojsha, nuk na shliroi UÇK-ja po, Amerika e Nato, me quejshin tradhëtarë!

-Tash po m’quejni tradhëtarë, se iu prisha me Amerikën!

Jo, nuk iu prisha unë!

Unë t’prishun iu gjeta! Se i keni rrejtë!!!

Unë e dua Amerikën për interesin e Kosovës, jo me m’i shlye gjynahet si këtyne, jo me m’shpetua prej Hagës!

Unë nuk e rrej Amerikën si këta, unë e humbi postin me fjalën e drejtë, e vraj lakminë time, e nuk e rrejë shliruesin tim, si këta që e kanë vra Kosovën, tue u mundua me i shpetua hajnitë e t’zezat e veta!

*

E fika TV-në e thashë: Natën e mirë shqiptarë!

Provoni me mbijetua, me i ikë vdekjës, si unë, tue hangër letra!

Ne nuk e duem t’mirin, dijën, mençurinë, pafajsinë, bujarinë. Këto terma janë të së kaluemes.

– Rrnoftë hajnia, krimi, rrena, forca, këto sot kanë emën!

Albini asht i duhuni, por ne kemi fjetë, njizet vite n’myk, dhe egjra na ka trullua, e s’dimë ma, kush asht i mirë e kush betër!

Dardani, 18.04.2020.