Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, deklaroi se ndihma që ka dhënë Shqipëria për Italinë duke dërguar 30 mjekë dhe infermierë, “duhet të jetë lajm i parë në të gjitha mediat e botës”.
“Shqipëria po jep ndihmë dhe pavarësisht numrave, duhet ta kenë të gjitha mediat e botës si lajm të parë sepse ka shumë vende që kanë më shumë mundësi dhe nuk kanë bërë gjë. Shqipëria e vogël, por e madhe, ka dhënë një ndihmë të rëndësishme për Italinë”, tha De Biasi.
Trajneri italian tregoi edhe se po i kalon këto ditë izolimi duke u marrë me oborrin, me mendjen te vajza e tij mjeke: “Qëndroj në shtëpi, dal një herë në javë për të bërë pazarin. Kam një oborr të madh, kështu që mund të bëj diçka jashtë. Vajza jonë është mjeke në një spital në Padova dhe mendjen e kemi aty. Ne që jemi në shtëpi kemi më pak probleme se të gjithë”.
Në lidhje me situatën që është krijuar në Itali, De Biasi theksoi se ka vendosur që të mos ndjekë shumë lajmet: “Kam një strategji: ndjek sa më pak të jetë e mundur lajmet, preferoj të lexoj ndonjë gjë dhe të flas me miqtë e mi që punojnë në spital dhe e dinë të vërtetën”.
Kur u pyet për mungesën e futbollit, De Biasi u shpreh se jetohet edhe pa të: “Sigurisht që është një jetë më pak e bukur, por ajo që ka rëndësi sot është që njerëzit të dalin nga kjo pandemi që po krijon probleme të mëdha dhe po shkakton shumë të vdekur. Pasi të kthehemi në normalitet, do të flasim për futboll”.