Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Por ndonjëherë ka raste kur edhe burrat përballen me të tilla raste dhe kërkojnë ndihmën e Policisë. Kështu ka ndodhur së fundmi me një rast në Deçan, ku një burrë është ngacmuar nga ish e dashura e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije viktima ka deklaruar se ish e dashura e tij K.S., në vazhdimësi që nga muaji nëntor po e ngacmon, e për të mos mbaruar me kaq ia ka publikuar edhe një foto të tij, që ia kishte dërguar sa ishin të lidhur.
Bazuar në dëshminë e viktimës, e dyshuara e ka publikuar në Instagram dhe Facebook foton gjysmë të zhveshur ku shihet ai, duke i shkaktuar kështu shqetësim të madh, për çka e kërkoi ndihmën e Policisë.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur që ta arrestojë gruan e dyshuar, e cila është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve policorë.
Me t’u përfunduar procedurat policore, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Ngacmim”.