Vazhdojnë kërkimet për 6 anëtarë të familjes Lala ku dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja edhe dy fëmijë të vegjël bashkë me nënën e tyre.
Në këto momente ekipet e shpëtimit arrinin të dëgjonin zërat e banorëve nga brenda që kërkonin ndihmë.
Abcneës.al raporton se pas shembjes së dytë të banesës zërat u shuan.
Për fat të mirë gjatë mbrëmjes së djeshme është nxjerrë 17 vjeçari Ramë Lala, i cili kishte ngecur në një xhep mes kolonës dhe derës që e ka mbrojtur.
Deri më tani, Sadete Lala, gjyshja 80 vjeçare ka dalë pa jetë nga rrënojat.
Ajo jetonte në këtë banesë bashkë me një djalë beqar dhe familjet e dy djemve të tjerë që ishin në Itali. Të dy ata janë kthyer dje nga Italia.
Njëri prej djemve ka nën rrënoja gruan 30 vjeçe me tre fëmijë. Ndërkohë, djali tjetër ka nën rrënoja një vajzë, kurse vajza tjetër u nxorr dje pa jetë.
Ram Lala, vëllai i vajzës që u nxorr dje pa jetë doli dje i gjallë. Për fat të mirë, nëna e tyre shpëtoi pasi gjatë tërmetit ishte në Tiranë.
Aktualisht, në familjen Lala po kërkohen nën rrënoja një burrë, një nënë me tre fëmijë dhe motra e Ramë Lalës që doli dje i gjallë.
Ndërtesat e rrënuara përbëjnë rrezik për qytetarët, por edhe për shtëpitë private përreth për shkak se mund të ndodhë shembja nga momenti në moment.
Zjarrëfikësit italian janë në vendngjarje dhe po punojnë për shpëtimin e anëtarëve të familjes Lala.
Ndërhyrja aplikohet përmes duarve për shkak se nën rrënoja ndodhen dy fëmijë dhe është i rrezikshëm përdorimi i mjeteve të rënda.
Gjithashtu është krijuar një hapësirë e konsiderueshmë që mund të çojë drejt anëtarëve të familjes.
Grupet e shpëtimit në vend po përpiqen të heqin tavanin që ka zënë poshtë dhomën që dyshohet se është e fëmijëve.