Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur portin Derince në provincën Kocaeli të Turqisë perëndimor, ku 10 persona kanë mbetur të lënduar, 2 prej tyre në gjendje të rëndë.
Mediat vendase kanë publikuar pamje nga momenti i shpërthimit, teksa shihet një shtëllungë e madhe tymi që ngrihet në ajër, e ndërsa shpërthimi ka qenë shumë i fortë sa që është ndjerë në një perimetër të gjerë.
Sipas asaj që tha guvernatori i provincës, Sedar Yavu , shpërthimi ndodhi në orën 14:40 pranë kapanoneve të Organizatës Turke të Grurit (TMO) . “Vlerësimet fillestare tregojnë se një shpërthim ka ndodhur për shkak të ngjeshjes së pluhurit të grurit gjatë transferimit të grurit nga një anije në kapanon. Na është thënë se teknikisht është e mundur të ndodhë një shpërthim për shkak të ngjeshjes së pluhurit të grurit, por po hetojmë çdo shkak të mundshëm”.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë zjarrfikëset, policia dhe ekipet mjekësore për të shuar pasojat e zjarrit. Shpërthimi shkatërroi 13 traktorë ngarkim-shkarkues gruri, ndërsa asnjë anije nuk u dëmtua.
Një burim nga kompania menaxhuese e portit tha se shpërthimi nuk ka prekur pjesën tjetër të aktiviteteve në zonë.
https://youtu.be/tJi6VauqV58