Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit për zyrtarë të lartë të Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Agjencisë Kadastrale, në lidhje me një rast të ndërlidhur me falsifikim dokumentesh zyrtare dhe tjetërsim prone shoqërore në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas dosjes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bëhet fjalë për një dëm të vlerësuar prej rreth 15 milionë euro ndaj pasurisë së shtetit.
Të dyshuarit përfshijnë Zelije Shalën, Mehdi Bahtirin dhe Veton Bytyqin nga Arkivi i Kosovës, si dhe Bashkim Shaqirin dhe Mejreme Bajramin nga Agjencia Kadastrale. Ata dyshohen se përmes bashkëpunimit me avokatin Venhar Hana dhe qytetaren Slavica Mikic kanë mundësuar regjistrimin dhe më pas shitjen e një parcele 3.9 hektarëshe të ish-RTP-së, duke u mbështetur në një aktgjykim të falsifikuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren i vitit 1976, i cili kurrë nuk ishte dorëzuar zyrtarisht në Arkiv.
Sipas Prokurorisë, aktgjykimi i falsifikuar u fut në mënyrë të kundërligjshme në arkiv, iu dha vulë zyrtare, dhe më pas u zhduk nga dosjet. Përmes këtij manipulimi, është krijuar baza ligjore e rreme për të kërkuar regjistrimin e parcelës në emër të Mikic në kadastër.
Fillimisht, Zyra Kadastrale në Prishtinë kishte refuzuar dy herë kërkesën për regjistrim, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si të nxjerrë jashtë kompetencës territoriale, por më pas, më 16 maj 2022, drejtori i Departamentit Ligjor në Agjencinë Kadastrale, Bashkim Shaqiri dhe zyrtarja ligjore Mejreme Bajrami, miratuan vendimin për bartjen e pronës në emër të Mikic.
Me këtë veprim, prona u regjistrua dhe më pas u shit te një numër personash, duke e dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe duke i pamundësuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) që ta shesë atë për interesin publik. Në dosje përmendet se e dyshuara Bajrami është e afërme e gruas së të dyshuarit tjetër, Afrim Gashi, i cili gjithashtu është nën hetim për manipulime me prona në zonën e Veternikut.
Prokuroria argumenton se ekziston rreziku që të pandehurit, nëse lihen në liri, do të mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të asgjësojnë prova, veçanërisht pasi disa dëshmitarë ende nuk janë dëgjuar. Zhdukja e aktgjykimit të falsifikuar nga dosjet zyrtare, sipas Prokurorisë, është tregues i qartë i përpjekjeve për të fshehur të dhëna thelbësore për rastin.
Gjithashtu, dokumenti i falsifikuar është demaskuar edhe përmes përgjigjeve zyrtare nga Gjykata Themelore në Prizren dhe AKP-ja, të cilat kanë konfirmuar se nuk ka ekzistuar kurrë një aktgjykim i tillë për këtë pronë dhe se toka në fjalë është në menaxhim të Agjencisë së Privatizimit.
Sipas “Betimi për Drejtësi”, të njëjtit persona përfshihen edhe në rastin e njohur për parcelën 9 hektarëshe në Veternik, ku janë të përfshirë emra si avokati Venhar Hana dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Hana dyshohet se ka qenë përfitues dhe përfaqësues në shumë raste të ngjashme me skema të dokumenteve të falsifikuara dhe regjistrimeve të paligjshme në kadastër.
Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e të pandehurve për shkak të rrezikut të ndikimit në procesin hetimor, pozitës së tyre si zyrtarë shtetërorë, dhe peshës së madhe të dëmit të shkaktuar. Sipas saj, asnjë masë tjetër përveç paraburgimit nuk garanton zhvillimin pa pengesa të procedurës penale.
Rasti ndërlidhet drejtpërdrejt me një skemë më të gjerë të keqpërdorimit të pronës publike, për të cilën Prokuroria ka ngritur hetime të vazhdueshme dhe ka sekuestruar një numër të madh dokumentesh dhe pronash të dyshimta.
Një sistem mbrojtës ajror u aktivizua pranë Ambasadës Amerikane në Bagdad të shtunën në mbrëmje,…
Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në…
Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para…
Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin…
Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…
Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…