Demonstrim force/ SHBA “tregon muskujt”, luftanija amerikane në ujërat e pretenduar të Kinës

Amerikanët kanë treguar muskujt në Azi duke kaluar me luftëanijet e tyre në një territor që pretendohet nga Kina. Ushtria amerikane thotë se janë ujëra ndërkombëtare dhe do të kalojnë sërish aty. Por për kinezët kjo është e paparanueshme dhe cënim i Kinës.

Kalimi i një luftëanijeje amerikane në një territor të Detit të Kinës së Jugut ka acaruar marrëdhëniet mes dy superfuqive botërore.

Flota e shtatë amerikane e dislokuar në Azi – Paqësor deklaroi se është plotësisht e lirë të kalosh në ato territore sepse këtë e siguron edhe ligji ndërkombëtar.

Në krahun tjetër, ushtria kineze ka protestuar duke thëën se ato janë ujëra territorial të Kinës, teksa ky veprim është cënim.

De fakto, atë territor e kontrollon Kina, ndërsa ka ndërtuar edhe ishuj artificialë. Kjo masë e ndërmarrë nga Kina ka sjellë edhe reagime të mëhershme të vendeve fqinje dhe të fuqive ndërkombëtare, që kanë folur kundër militarizimit të ishujve në atë rajon.

Kinezët thonë se ky veprim i ushtrisë amerikane ka cënuar ligjin ndërkombëtar dhe ka minuar paqen në Detin e Kinës së Jugut”. Por për amerikanët kinezët mund të thonë ç’të duan, sepse ai territor është në ujëra ndërkombëtare dhe do të kalojnë lirisht aty.

Aleatë të amerikanëve në rajon janë të shqetësuar për zgjerimin që po bën Kina dhe kanë kërkuar mbështetjen amerikane dhe të ushtrisë së saj. Territori për të cilin palët janë në konflikt prej dekadash është ndër më të rëndësishmit në botë sepse kalon një pjesë e rëndësishme e tregëtisë globale.