Dënohet me 2 mijë e 500 euro gjobë personi që kërcënoi presidentin Thaçi

2,500 euro gjobë është dënimi që ka shqiptuar Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Kujtim Pecit, i cili akuzohet se përmes rrjetit social “Facebook”, kishte kanosur Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

I akuzuari Peci fillimisht u dënua me 4 muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit, dënimi me burg u zëvendësua në atë me gjobë, në shumën prej 2,500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 12 maj 2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se kjo gjykatë kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Peci.

Në dënimin e shqiptuar, sipas këtij aktgjykimi, do të llogaritet edhe koha që i akuzuari e ka kaluar në paraburgim, nga 26 marsi e deri më 29 prill, ashtu që secila ditë do t’i llogaritet 20 euro.

Në vendimin e Themelores thuhet se pjesa e mbetur e dënimit, në shumën prej 1,840 euro, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, gjykata ka miratuar kërkesën e mbrojtjes që pjesa e mbetur e dënimit të zëvendësuar në gjobë të paguhet në këste mujore, për shkak të gjendjes së dobët ekonomike të të akuzuarit Peci.

Sipas këtij vendimi, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me të holla, ai do të revokohet në dënim me burg, duke llogaritur një ditë burg me 20 euro gjobë.

Po ashtu, i akuzuari Peci është obliguar që të paguaj shumën prej 50 euro në llogari të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

I dëmtuari, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në vendim thuhet se më 24 prill 2020, prokurorja Habibe Salihi kishte deponuar në gjykatë marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur mes prokurorisë, të akuzuarit Peci dhe mbrojtësit të tij, avokatit Xhafer Maliqi.

Sipas kësaj marrëveshje, gjykatës së shkallës së parë i ishte rekomanduar që ndaj të akuzuarit Peci të shqiptohej një dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër deri në pesë muaj, me propozimin që ky dënim të zëvendësohet në atë me gjobë.

Më pas, gjykata duke vepruar sipas kësaj çështje penale, më 12 maj 2020, mbajti seancën për shqyrtimin e kësaj marrëveshje të propozuar nga palët sa i përket të akuzuarit Peci.

Kjo marrëveshje edhe ishte aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me arsyetimin se i përmban të gjitha kushtet e përcaktuara me dispozitat e nenit 233 par.3, 4 dhe 5 të KPPRK-së.

Po ashtu, gjykata kishte vlerësuar se marrëveshja për pranim fajësie ishte në pajtim me nenin 233 par.1 nën par.1.1 të KPPRK-së dhe nenin 233 par.7 nën par.2 të KPPRK-së, dhe se dënimi i propozuar ishte brenda kornizave ligjore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 prill 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Kujtim Pecit për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Kujtim Peci akuzohet se më 26 mars 2020, nëpërmes rrjetit social “Facebook”, ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, Presidentin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, lidhur me punën e tij si person zyrtar, se do ti shkak ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Kujtim Peci, në profilin e personit Kujtim Boletini, që vetë e kishte hapur, ka postuar mesazh kërcënues me përmbajtje si në vijim: “Sot i zhdrypa prej tavanit se në Kuvend po flitet për ndarjen e Kosovës nga Hashim Broja, le ta din Hashim Broja a kushdo qoftë ai se Ende jemi gjallë pjesa e veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja, dije se gjumin gjum s’ta la me ba”, duke i shoqëruar këto fjalë me dy fotot të dy armëve të gjata, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth se do t’i shkaktohet ndonjë e keqe atij apo familjes së tij nga i pandehuri Kujtim Peci.