Deputetët britanikë kërkojnë sanksionimin e Vuçiqit, përmendin edhe destabilizimin në Kosovë

Më shumë se 20 deputetë të parlamentit britanik kanë kërkuar një ndryshim në qasjen e politikës së jashtme ndaj Serbisë pas pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj.

“Sot i kam shkruar një letër ministrit të Jashtëm, duke kërkuar një ndryshim të madh në qasjen tonë të politikës së jashtme ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së presidentit Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj. Letra është nënshkruar edhe nga 25 parlamentarë të tjerë”, ka shkruar në Facebook deputetja britanike Emma Lewell.

Në letër, ndër të tjera, thuhet se Serbia nën Aleksandar Vuçiqin ka forcuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin, “veçanërisht si i vetmi shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë, pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera kundër Ukrainës që nga viti 2014”.

“Për më tepër, presidenti Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit, e cila synon të largojë vëmendjen nga pushtimi i saj i plotë i Ukrainës”, thuhet në letrën drejtuar ministrit të Jashtëm britanik.

Në letër theksohet gjithashtu se gjatë sundimit të Vuçiqit, Serbia ka përjetuar një regres të madh demokratik, me sulme të vazhdueshme ndaj mediave, opozitës politike dhe shoqërisë civile, si dhe korrupsion të përhapur, që ka kontribuar në protestat masive kundër qeverisë së tij në muajt e fundit. Aty kërkohen sanksione ndaj Vuçiq dhe Qeverisë së tij.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi më 9 maj, gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se Moska “vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në çështjet ndërkombëtare”.

Takimi bilateral ndërmjet Putinit dhe Vuçiqit në Moskë ishte takimi i tyre i parë zyrtar pas më shumë se tre vjetësh nga pushtimi rus i Ukrainës.