Deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës nga radhët e VV-së, Jahja Kokaj, sot gjatë ditës ka publikuar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, me plot gabime drejtshkrimore.
E pas kësaj, Kokaj ka reaguar duke thënë se ka jetuar 31 vite jashtë vendit, duke ligjëruar në universitete amerikane, dhe si pasojë e kësaj, i ka harruar rregullat e drejtshkrimit.
“Unë pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në diasporë, përfshirë shkollimin akademik, ku kryesisht edhe sot e kaloj jetën, duke ligjëruar në universitete amerikane në anglisht, prej 31 vjet, e gati gjysmën e jetës. Për kaq kohë, shumë njerëz e harrojnë gjuhën dukshëm, dhe jo më rregullat e drejtshkrimit, madje edhe të menduarit shqip”, ka shkruar Kokaj në Facebook.
Ai më pas, e ka rregulluar shkrimin duke i vendosur fjalët, presjet dhe rregullat e tjera drejtshkrimore.