Presidenti i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Canak, akuzoi sot një pjesë të klerit të Kishës Ortodokse Serbe se me njoftimin e tyre se kishat do të jenë të hapura këtë të diele për besimtarët për Pashkët ortodokse, po shkelin ligjin, po minojnë stabilitetin e shtetit dhe po kryejnë akt të “terrorizmit biologjik”. Në Serbi është caktuar masa e orës policore edhe gjatë pashkëve ortodokse të kësaj fundjave.
Politikani liberal serb Nenad Canak shkroi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter i zemëruar për standardin e dyfishtë ndaj kishës serbe.
“Pra: kush ka të hyra e nuk paguan tatim, ju marrin buka nga goja mjekëve, mësuesve, ushtarëve, policëve dhe dëmtojnë stabilitetin e shtetit tim. Kush thërret për shkelje të ligjit dhe rregullores së ndalimit të tubimit në kushte pandemie, kryen akt të terrorizmit biologjik dhe minon stabilitetin e vendit tim” shkroi Canak.
Ai shtoi se manteli i zi priftëror nuk është mbrojtje nga virusi dhe nuk mundet të jetë as mbrojtje nga ligji.
“Mbani shënim, pasi nëse ligji nuk vlen për një besim, përse do të vlente për një tjetër? Apo, për këdo? Dhe ta përmbyll. Fjalët’…Fali o Atë, nuk dinë se çfarë bëjnë’ për ju nuk vlejnë. Ju e dini shumë mirë se çfarë po bëni dhe për llogarinë e kujt” porositi Canak.
Pashkët ortodokse janë me 19 shkurt, të dielën dhe kreu i kishës, Patriarku Irinej, ishte pajtuar me kërkesën e presidentit serb Vucic se meshat duhet të mbahen pa praninë e besimtarëve për shkak të pandemisë Covid-19. Megjithatë, disa prej klerit serb, përkundër orës policore të paralajmëruar për pashkë kanë porositur se portat e kishave do të mbesin të hapura për besimtarët.