“60 Minuta” është emisioni kryesor në televizionin shtetëror rus: Bëhet fjalë për një emision që promovon linjën e Kremlinit në gjithçka, duke përfshirë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Presidentit Putin në Ukrainë. Kremlini vetë ende pohon se ofensiva ruse po shkon sipas planit.
Por i ftuari në studio mbrëmë, Mikhail Khodarenok, një analist ushtarak dhe kolonel në pension, pikturoi një pamje krejtësisht të ndryshme, raporton abcnews.al.
Ai paralajmëroi se “situata [për Rusinë] do të përkeqësohet edhe më tej” pasi Ukraina merr ndihmë ushtarake nga Perëndimi dhe se “ushtria ukrainase mund të armatosë një milion njerëz”.
Duke iu referuar ushtarëve ukrainas, ai vuri në dukje se “kanë një dëshirë të madhe për të mbrojtur atdheun e tyre”.
“Fitorja përfundimtare në fushën e betejës përcaktohet nga morali i lartë i trupave që po derdhin gjak për idetë për të cilat janë gati të luftojnë.”
“Problemi më i madh me situatën ushtarake dhe politike [të Rusisë]”, vazhdoi ai, “është se ne jemi në izolim total politik dhe e gjithë bota është kundër nesh, edhe nëse ne nuk duam ta pranojmë. Ne duhet ta zgjidhim këtë situatë.”
“Situata nuk mund të konsiderohet normale kur përballë nesh është një koalicion prej 42 shtetesh dhe kur burimet tona ushtarako-politike dhe ushtarako-teknike janë të kufizuara”.
Të ftuarit e tjerë në studio heshtën; edhe prezantuesja, Olga Skabeyeva, normalisht e ashpër dhe e zëshme në mbrojtjen e saj ndaj Kremlinit, u shfaq jashtëzakonisht e nënshtruar.
Është e rrallë të dëgjosh analiza të tilla realiste në TV rus. Kremlini ka bërë shumë për të kontrolluar informacionin që marrin rusët duke mbyllur televizionet kritike.
Pra, çfarë ndodhi në “60 Minuta”? A ishte kjo një thirrje zgjimi spontane dhe e papritur për Ukrainën që rrëshqiti padashje? Apo u bë për të përgatitur rusët për lajme negative mbi “operacionin special ushtarak”?
Është shumë herët për të thënë këtë, por diçka po zien në Moskë.