Tregu shqiptar i punës nuk po rezulton aq atraktiv siç mendohej në fillim para pandemisë, kur nisi tendenca e kontraktimit të punonjësve nga Afrika, sipas Ermal Jaurit, i cili zotëron një agjenci që punëson të huaj në Shqipëri.
Zoti Jauri tha se, që kur erdhën afrikanët e parë e deri më tani, tregu shqiptar i punës shfaqi problematika të thella në drejtim të informalitetit, kontratave të punës, burokracive dhe trafikut të paligjshëm. Pavarësisht ndryshimit të ligjit për punësimin e të huajve ka sërish burokraci nga zyrat e punës për regjistrimin e tyre. Disa ndërmarrje që kanë punësuar të huaj, gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrekte me kontratat dhe kushtet e tjera, duke krijuar një imazh jo të mirë të vendit ndaj punonjësve të huaj.
Shumë kompani i përdorën kontratat e punësimit për arsye trafikimi. Duke qenë se Shqipëria është një vend europian, shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit afrikanë që ofrohen për punë Shqipëri, e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian.
Shumë biznese shqiptarë panë si zgjidhje për të zëvendësuar forcën punëtore që emigroi me punonjës nga Afrika. Agjencitë e punësimit nisën “importin” e organizuar të punonjësve nga vendet e Azisë dhe Afrikës, mirëpo historia dyvjeçare e këtij fenomeni tregoi se tregu i shqiptar i punës nuk është i denjë as për punonjësit afrikanë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është skeptik për zëvendësimin e forcës së punës. Ai shprehet se bizneset shqiptare kanë pasur humbje historikisht të larta për shkak të mangësive në kompetenca të punonjësve shqiptarë. Për shembull, për shkak të mungesës së inxhinierëve të mirë dhe mekanikëve, një fabrike mund t’i krijohen mijëra euro humbje për neglizhencë.
Ndaj furnizimi me punonjës nga vende që nuk paraqesin kualifikim dhe kompetenca, në vend që të përmirësojë produktivitetin, rrezikon ta cenojë më tej. Jaka tha se, emigracioni në mënyrë të organizuar duhet të ishte bërë mbi studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha.
Paga mesatare neto në Shqipëri përllogaritet 323 euro në muaj, sipas të dhënave të vitit 2019, referuar nga “Numbeo”. Pas Shqipërisë vjen Bangladeshi me 301 euro në muaj, Armenia 300 euro në muaj dhe Irani me 296 euro në muaj. Ndërsa me diferencë nga paga mesatare e Shqipërisë paraqiten Sri Lanka me 232 euro në muaj; Nepali, 182 euro; Nigeria, 175 euro; Siria, 86 euro etj.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se kjo mënyrë zëvendësimi e fuqisë punëtore nuk e zgjidh problemin, madje produktiviteti mund të cenohet. Historia e emigracionit nuk njeh praktika, ku vendet e varfra të emigrojnë në vende të varfra, shtoi më tej ai.
Rritet vëmendja ndaj kapitalit human
Duke qenë se Shqipëria ka ende një popullsi relativisht të re në moshë dhe një histori të shkurtër në ekonominë e tregut, nuk ka shfaqur vëmendjen duhur ndaj kapitalit human dhe mirëmbajtjes së tij. Shumica e bizneseve të mesme dhe të mëdha në vend nuk u kishin kushtuar rëndësi departamenteve të burimeve njerëzore. Vitet e fundit dhe sidomos pas pandemisë, fabrikat, jo shumë të mëdha, po krijojnë njësi të posaçme të burimeve njerëzore.
Zyrat e burimeve njerëzore po marrin rolin e qendrave të vogla të trajnimit brenda stafeve dhe gjithashtu ofrojnë stimuj për punonjësit, si udhëtimet, organizime që kanë pak kosto por nxisin stimujt për punonjësit. Alban Zusi, vitin e fundit, ka investuar në këtë drejtim. Tashmë në fabrikën e tij ka një drejtori të posaçme për burimet njerëzore, e cila merret me menaxhimin e punonjësve dhe rezultatet e para janë mbresëlënëse. Konkurrenca e egër për punonjës po shton stimujt për punonjësit.
Për shembull, shumë fabrika fasoni në Tiranë po shtojnë një vakt ushqim për punonjësit. Disa të tjera po ofrojnë shërbimin e transportit falas, aktivitete dhe qendra ditore për fëmijët e punonjësve, shpërblime dhe karrierë për më të dalluarit. Megjithëse pjesa më e madhe e bizneseve po kuptojnë peshën e kapitalit human, ende kanë shumë hapësirë për t’u përmirësuar në këtë drejtim, sidomos në drejtim të pagave dhe sigurimeve shoqërore.
Një anketë e “Deloitte” me mbi 1000 të rinj në Shqipëri të diplomuar me arsim të lartë, poshtë moshës 30 vjeç, që u publikua së fundmi, tregon se paga e ulët nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4% e tyre janë përgjigjur se mosvlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor, i cili do t’i orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës.
17.6% e të rinjve të arsimuar u shprehën se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do t’i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9% e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës.
Të gjithë këto elemente tërheqin vëmendjen për rëndësinë që duhet t’u kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon vrojtimi./Monitor