Detaje për vendin ku ndodhi vrasja në Skënderaj, banorët thonë se është lokal i natës

Lokali ku ndodhi vrasja e tri plagosje me armë zjarri në Runik të Skenderajt, është lokal i natës, sipas banorëve atje.

Ekipi i T7 po qëndron në Runik prej ku raportojnë që sipas banorëve, viktima dhe të plagosurit, nuk kanë lidhje familjare mes vete.

Këtij lokali tashmë përreth i është vendosur shiriti i policisë dhe vendi po ruhet aty nga një patrullë e policisë.

Vendi është rrethuar me shiritin e policisë.

T7 mëson nga vendi i ngjarjes se viktima N.L., 39-vjeçar, që mbeti i vdekur si pasojë e plumbave, ishte staf i lokalit dhe punonte aty prej rreth dy vitesh.

Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

Ai tha se prokurorja e rastit së bashku me njësitet tjera relavante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.

Preteni tha se deri më tani autorët nuk dihen dhe të njëjtit kanë hyrë të maskuar në lokal.

“Prokurorja e rastit ka dalë në vendin ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Deri më tani dyshohet se dy persona të maskuar kanë hy në lokal kanë shti me armë zjarri, një person ka mbetur i vrarë dhe tre të plagosur. Prokurorja e ka iniciuar rastin si “vrasje e rëndë”. Nuk dihen autorët deri më tani”, tha Preteni për Gazetën Express.

Policia ka konfirmuar se të shtënat me armë zjarri ndodhën rreth orës 01:21.

Në vendin e ngjarjes u gjetën gëzhoja plumbash.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, informoi policia.

Policia tha se po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, tha policia.

Me urdhër të prokurores trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga QKUK u konfirmua se njërit prej të plagosurve i është amputuar këmba.