Përleshja mes dy personave që përfundoi me gjuajtje me armë zjarri mbrëmë në një lokal në Prishtinë, ka ndodhur mes Arsim Ramadanit e Shaban Ramajt, të dy të punësuar në Telekom, në valën e fundit të punësimeve.
KTV-ja ka mësuar se të dy punojnë në departamentin e logjistikës, ndërsa kanë rrogat ndër më të lartat. I plagosuri në këtë rast është Shaban Ramaj.
Policia e Kosovës ka njoftuar për rastin por pa dhënë detaje e duke tentuar të fsheh rastin, e ka quajtur vetëm si ‘plagosje mes të rinjsh’.
“Dje në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, rreth orës 23:40 në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve”, thuhet në raportin e PK-së.
Policia thotë se i plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht, ose “është vet-plagosur”.
“Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, përfundon raporti.
Paga që merr në Telekom Shaban Ramaj është 2,250.83 euro. E njëjtë, është paga edhe e Arsim Ramadanit prej 2,250.83 euro.
Mësohet se plagosja ka ndodhur në darkën e fundvitit të organizuar nga Telekomi i Kosovës.
Ramaj në faqen e tij në Facebook ka disa fotografi me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj kurse Ramadani ishte i dënuar më parë në rastin Kiqina por u fal me vendim të Presidentit Hashim Thaçi.