Administrata Trump po përgatitet të pranojë një Boeing 747-8 superluksoz nga familja mbretërore e Katarit.
Dhurata do të jetë në dispozicion për t’u përdorur nga Presidenti Donald Trump si një Air Force One i ri pak para se të largohet nga detyra, kur pronësia e avionit do t’i transferohet Fondacionit të Bibliotekës Presidenciale Trump, thanë burime të njohura me marrëveshjen e propozuar për ABC News.
Dhurata pritet të shpallet ditët pasuese, kur Trump të vizitojë Katarin në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit gjatë mandatit të tij të dytë, sipas burimeve të njohura me planet që folën për ABC News.
Trump vizitoi aeroplanin, i cili është konfiguruar aq luksozisht sa njihet si një “pallat fluturues”, ndërsa ishte i parkuar në aeroportin ndërkombëtar të West Palm Beach në shkurt.
Aeroplani fillimisht do t’i transferohet Forcave Ajrore të SHBA-së, të cilat do ta modifikojnë gjigandin fluturues 13-vjeçar për të përmbushur specifikimet ushtarake amerikane të kërkuara për çdo aeroplan të përdorur për të transportuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, thanë burime të shumta të njohura me marrëveshjen e propozuar.
Aeroplani do t’i transferohet më pas Fondacionit të Bibliotekës Presidenciale Trump jo më vonë se 1 janari 2029, dhe të gjitha kostot që lidhen me transferimin e tij do të mbulohen nga Forcat Ajrore të SHBA-së, thanë burime për ABC News.
Sipas ekspertëve të industrisë së aviacionit, vlera e parashikuar e avionit që Trump do të trashëgojë është rreth 400 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet shtesë të sigurisë dhe komunikimit, të cilat Forcat Ajrore do të duhet t’i shtojnë për të siguruar dhe pajisur siç duhet avionin për transportin e sigurt të presidentit të SHBA-së.