Ministria e Mbrojtjes, ka treguar se çka nënkupton në terma praktik avancimi i pozitës së Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ndërkohë, ish-ushtarakë e kanë mirëpritur vendimin e Asamblesë, duke e quajtur atë një dhuratë për FSK-në.
Në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, nga aleanca veri atlantike erdhi edhe një lajm i mirë për vendin tonë.
Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të dielën mori vendim që Kosova nga vëzhgues parlamentar të avancojë në statusin e shtetit anëtar i asocuar.
Këtë vendim e kanë mirëpritur në ministrinë që ka në mandat ushtrinë përderisa theksojnë se kanë punuar vazhdimisht për avancimin e pozitës, përpara anëtarësimit përfundimtar.
”Kjo do të thotë shumë për ne si shtet, për hapin që po bëjmë përpara drejt përmbushjes së objektivave tona, për sigurinë e vendit por gjithashtu dhe rajonit duke marrë parasysh që fqinji ynë verior vazhdon të ketë qasje agresive karshi nesh. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s ne do të kemi zgjerim të delegacionit, pjesëmarrje në aktivitetet e komiteteve dhe nënkomiteteve, seancat plenare, si dhe përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë me të drejtën dhe për adresimin e amandamenteve dhe komenteve për çdo proces dhe dokument që trajtohet nga Asambleja”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Liridona Gashi – zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.
Vendim të një pesheje të madhe për Kosovën e vlerëson këtë hap ish-koloneli Afrim Veseli, teksa thotë se përmes tij po dërgohet edhe një mesazh diku.
“Kjo është një dhuratë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Kosovën, pra ne veç duhet t’i kthehemi punës, ta lëmë atë sovranitetin që çdoherë po e flasim, sepse SHBA-të janë ato që po kujdesen vazhdimisht mbi 30 vite për Kosovën dhe arritjen e shtetit aty ku synon. Ky është një mesazh edhe për Serbinë edhe për ca qarqe tjera që po frikësohen se mos po cenohet sovraniteti i vendit”, ka deklaruar Afrim Veseli.
Për ish-kolonelin Hysen Gecaj kjo është një përpjekje e ndërkombëtarëve që rajonin e Ballkanit Perëndimor ta integrojë sa më parë në strukturat euro-atlantike.
“Asocimi në kuvendin parlamentar të NATO-s është një hap drejt një integrimi më të thellë dhe më të drejtpërdrejt të Kosovës, në aspektin politik dhe të asistencës politike. Në atë asamble të gjitha ato shtete, shkëmbejnë informacionet e tyre politike, dhanë mendimet e tyre vlerësimet e tyre dhe koordinimet e tyre”, deklaroi Hysen Gecaj.
Sesioni pranveror i Asamblesë ku tashmë Kosova do të marr pjesë si shtet anëtar i asociuar do të mbahet më 27 Maj në Sofje.
Kosova, fillimisht, para anëtarësimit të plotë në NATO, është duke insistuar në pranimin në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe, program bashkëpunimi i krijuar nga viti 1994.