Nga David Von Drehle “Washington Post”
Më pak se një javë pas fillimit të kundërofensivës së fundit të ushtrisë së Ukrainës kundër forcave pushtuese ruse, ekziston një dëshirë e natyrshme për të shpallur suksesin ose dështimin e saj. Në fakt, natyra e luftimeve dhe kaosi i luftës nuk e lejojnë këtë gjë.
Është thjesht shumë herët për të thënë nëse Ukraina, do të arrijë apo jo ta dëbojë Rusinë përtej kufijve, sikurse premton presidenti Volodymyr Zelensky. Por në panoramën më të përgjithshme, fakti që Ukraina po kundërsulmon në kolona të organizuara dhe të mirë-furnizuara, është një shenjë tjetër e dështimit të kushtueshëm dhe katastrofik të Rusisë.
Lufta e ideuar nga vetë Vladimir Putin dhe e nisur në fundin e shkurtit, synonte të rrëzonte udhëheqjen ukrainase, të pushtonte kryeqytetin Kiev dhe të instalonte aty një qeveri kukull përmes një sulm të vetëm me shumë fronte. Kur ajo përpjekje dështoi, Putini nisi një fushatë të riorganizuar përgjatë linjave më të shkurtra, për të krijuar një zonë tampon për Rusinë në jug dhe lindje të Ukrainës, dhe për ta asfiksuar ekonominë ukrainase përmes pushtimit të portit të Odesës.
Por tani ky projekt është bllokuar. Pas më shumë se 6 muaj luftimesh – me një brutalitet dhe shpërdorim të skajshëm, me koston e mijëra trupave, dhe me një furnizim të madh armatimesh – Rusia po shkon drejt dimrit. Përveç shkatërrimit dhe vdekjeve të shumta, Putini nuk ka asgjë për të treguar për pushtimin më të madh të një territori evropian në gati 80 vjet.
Dimri ka qenë aseti strategjik më i madh i Rusisë në luftërat e mëparshme, duke “ngrirë” ambiciet e Napoleonit dhe Hitlerit për të pushtuar Moskës. Ndaj ky sezon është bërë shpresa e fundit e Putinit për të shpëtuar një lloj rezultati në Ukrainë, të cilin ai mund ta quante fitore.
Nëse votuesit në Gjermani, Itali dhe vende të tjera perëndimore e vuajnë shumë të ftohtin pa gazin rus, tek i cili mbështeten për ngrohësit e tyre, ata mund t’i detyrojnë qeveritë e tyre të tërhiqen nga mbështetja e unifikuar e NATO-s për Zelensky.
Por edhe dimri mund t’i kthejë shpinën Putinit. Parashikimet e reja afatgjata sugjerojnë se Evropa po shkon drejt një vjeshte përgjithësisht të butë, dhe një dimrit jo shumë të ftohtë.
La Nina, një ndryshim i modeleve atmosferike të lidhura me ftohjen e temperaturave në sipërfaqen e pjesëve të Oqeanit Paqësor, ka shumë të ngjarë të sjellë temperatura më të ngrohta se normalja në pjesën më të madhe të kontinentit.
Kjo do të zvogëlonte sasinë e gazit që duhet për ngrohje, edhe pse sigurisht që nuk do t’i japë fund nevojës për sakrifica dhe vendosmëri. Sidomos nga gjermanët do të kërkohet më shumë kursim, për shkak të mbështetjes së tepruar të tyre tek një furnizues jo i besueshëm.
Por nuk ka asnjë alternativë të pranueshme ndaj qëndresës kokëfortë, sepse Putini nuk duhet të lejohet të largohet nga Ukraina me më shumë territor sesa kur e pushtoi. Dhe kjo nuk thuhet me ndonjë dashakeqësi ndaj popullit rus. Rusia është një kulturë e madhe, por me një “Thembër Akili” tragjike:për ndonjë arsye apo ngatërresë arsyesh, ajo nuk mund të prodhojë dhe të mbështesë udhëheqës të mençur.
Vdekja e Mikhail Gorbachev në moshën 91-vjeçare, është një kujtesë e trishtë e paaftësisë së Moskës për ta sjellë në mënyrë paqësore në epokën moderne ish-Bashkimin Sovjetik. Kaosi që pasoi rënien e perandorisë, nxiti ngritjen e Putinit, i cili nuk synoi ndërtimin e një të ardhmeje të begatë, por rimëkëmbjen e një të kaluare të korruptuar dhe represive.
Pavarësisht lidershipit të dobët, Rusia është aq e pasur me burime natyrore sa që ka hijen e një superfuqie. Një vit më parë, Rusia perceptohej si një fuqi e madhe ushtarake. Ukraina aspironte të anëtarësohej në NATO, por përtej fjalëve, Perëndimi po bënte lëvizje të pakta në atë drejtim.
Në fakt, disa nga mendimtarët kryesorë të politikës së jashtme – mes tyre edhe ish-Sekretari i Shtetit Henry Kissinger – po argumentonin se Ukraina duhet të caktohet një territor neutral, si Finlanda. Pra Putini mund të arrinte ta krijojë zonën e tij tampon edhe pa asnjë të shtënë.
Përkundrazi, sot Finlanda nuk është më neutrale, pasi në përgjigje të luftës së Putinit i është bashkuar NATO-s, së bashku me Suedinë. Dhe forca ushtarake konvencionale e Rusisë, është treguar të jetë në rastin më të mirë një ushtri e dorës së dytë.
Nëse Zotat e motit i buzëqeshin lirisë, dhe gjermanët qëndrojnë të palëkundur në pozitat e tyre, është e sigurt që forcat ukrainase do të vazhdojnë të godasin ushtrinë e Putinit me një furnizim të pafundmë me armëve dhe municione nga Perëndimi. Skenari është i zymtë.
Por mos u nxitoni:Putini mund t’i japë fund luftës sa herë që dëshiron. Sigurisht, kjo me supozimin sa ai të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Kohët e fundit, situata është e nderë edhe në Moskë. Një bombë e vendosur në një makinë vrau vajzën e teoricienit pro-luftës të Putinit, Alexandr Dugin.
Disa drejtues të industrisë së naftës dhe gazit janë gjetur të vdekur, disa bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, ndërsa bosi i Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi, gjeti vdekjen pasi u tha se u rrëzua aksidentalisht nga dritarja e katit të gjashtë në një spital të Moskës.
Thuhet se Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu se është mënjanuar nga detyra, gjë që rrallë është e mirë për shëndetin e dikujt në Kremlin. Nëse dikush dëgjon me vëmendje, atëherë mund të dëgjojë tingujt e parë të një regjimi që është gati të shembet. Është ende shumë herët për të thënë nëse ofensiva e Ukrainës do ta ndihmojë atë të fitojë. Por jo shumë shpejt për të thënë se kush po e humbet luftën:Vladimir Putin, dhe për shkak të tij edhe populli rus.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al