KRYESORE

Direkt pas kancelarit Merz dhe presidentit Zelensky – Ilona W. – E dyshuar për spiunazh të lartë në Gjermani

Fotoja është simbolike për të treguar kërcënimet, me të cilat përballen Perëndimi, Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së nga Rusia. Dhe mbi të gjitha, ajo ilustron se sa afër mund të jenë agjentët potencialë rusë me politikanët në Gjermani: Një foto për shtypin nga qeveria ukrainase tregon Presidentin Volodymyr Zelensky në Berlin në dhjetor, pranë Kancelarit gjerman Friedrich Merz (CDU) gjatë një eventi biznesi.

Pas Merz und Zelenskyt agjentja e dyshuar

Ishin ditët kur qeveria gjermane mblodhi shumë krerë shtetesh dhe qeverish evropiane në kryeqytetin gjerman për të diskutuar një përfundim të mundshëm të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.  Vetëm dy rreshta pas Zelenskyt dhe Merz ishte ulur gruaja që tani përflitet si spiune e mundshme për rusët.

Më 21 janar 2026 gjermano-ukrainasja Ilona W. u arrestua në Berlin, sepse dyshohet se ka qenë në kontakt me një punonjës të ambasadës ruse të paktën që nga nëntori 2023: “E akuzuara i dha atij informacione në raste të ndryshme, ndër të tjera informacione që lidhen me luftën midis Federatës Ruse dhe Ukrainës”, deklaroi Zyra e Prokurorit Federal.

E supozuara organizatë për mirëkuptimin ndërkombëtar

Autoritetet njoftuan gjithashtu, se çfarë mund të nënkuptonte kjo konkretisht: Ilona W. dyshohet se ka mbledhur informacione rreth pjesëmarrësve në “evenimente politike të profilit të lartë”. Ajo dyshohet gjithashtu se i ka kaluar kontaktit të saj informacione rreth vendndodhjeve të prodhuesve gjermanë të armëve, testeve të dronëve dhe dërgesave të planifikuara me dronë në Ukrainë. Gruaja ishte aktive si një lloj lobiiste në rrethet politike të Berlinit, konsiderohej shumë aktive dhe kishte qasje në shumë ngjarje të nivelit të lartë – siç tregon fotografia e dhjetorit.

Më 21 janar 2026 gjermano-ukrainasja Ilona W. u arrestua në Berlin, sepse dyshohet se ka qenë në kontakt me një punonjës të ambasadës ruse të paktën që nga nëntori 2023Fotografi: Ukraine presidency

Sipas burimeve të televizionit publik gjerman, ARD, Ilona W. ishte kryetare e një “shoqate federale” me seli në Berlin. Organizata e përshkruan veten si një organizatë ombrellë për “shoqatat binacionale” të dedikuara për mirëkuptimin ndërkombëtar. Një ish-anëtar socialdemokrat i Bundestagut thuhet gjithashtu se është pjesë e bordit administrues.

Hetimet janë duke u zhvilluar gjithashtu edhe kundër dy ish-anëtarëve të Bundeswehrit, të cilët e njihnin personalisht persionin e dyshuar për spiunazh dhe dyshohet se i kanë dhënë asaj informacione zyrtare. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ata e dinin që informacioni i ishte kaluar shërbimit të inteligjencës. Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, njëri prej tyre është një ish-oficer shtabi që doli në pension së fundmi, dhe tjetri është një nëpunës i lartë që u largua nga forcat e armatosura më shumë se 15 vjet më parë.

Gjermania dëbon punonjësin e ambasadës

Reagimi i Ministrisë së Jashtme Gjermane tregon, se sa seriozisht e merr qeveria gjermane rastin e zbuluar: Të enjten, ministria thirri ambasadorin e Rusisë, Sergey Nechayev, një veprim që konsiderohet gjerësisht si një hap i ashpër diplomatik. Ambasadori u informua se një punonjës i ambasadës i akredituar si diplomat ishte përfshirë në spiunazh dhe ishte detyruar të largohej nga vendi. Personi, sipas Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa), thuhet se ishte zëvendësatasheu ushtarak, mund të ketë qenë personi i kontaktit të Ilona W.

Ministria e Jashtme në Berlin deklaroi: “Ambasadori u informua në emër të Ministrit të Jashtëm se aktivitetet e spiunazhit në Gjermani nuk do të tolerohen nga Republika Federale e Gjermanisë dhe do të kenë pasoja.” Vetë Ministri i Jashtëm Johann Wadephul (CDU) shtoi gjatë një udhëtimi në Afrikë: “Ne po monitorojmë shumë nga afër atë që po bën Rusia dhe po ndërmarrim veprime kundër saj.”

Akuzat e ngritura kundër Ilona W. dhe dëbimi i punonjjësit të ambasadës shihen nga ambasada ruse si një “provokim qesharak dhe i sajuar me nxitim”Fotografi: Michael Bihlmayer/CHROMORANGE/picture alliance

Ambasada Ruse: “Provokim qesharak”

Përgjigja e ambasadës ruse ishte e shpejtë dhe tregon se sa të tendosura janë bërë marrëdhëniet: Akuzat shihen nga ambasada si një “provokim qesharak dhe i sajuar me nxitim”, dhe qartësisht kanë për qëllim diskreditimin e misionit diplomatik rus si pjesë e një “histerie spiunazhi të promovuar në mënyrë aktive në Gjermani”, deklaroi ambasada për agjencinë e lajmeve AFP. Me tej thuhet, se “ne e kemi bërë të qartë se veprimet jo miqësore të Berlinit nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Aktivitetet e inteligjencës ruse në Gjermani po shpeshtohen. Kazermat e Bundeswehr-it po dhe rrugët e transportit të armëve në mbështetje të Ukrainës së sulmuar spiunohen. Ekspertët supozojnë se aktivitetet e spiunazhit rus në Gjermani kanë arritur prej kohësh shkallën e epokës së Luftës së Ftohtë, deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989.

Në një studim mbi aktivitetet ruse në Gjermani të kryer në maj të vitit të kaluar, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës deklaroi: “Ndërsa pragu për veprime kundër Gjermanisë është ulur nga pala ruse, rritja e incidenteve të regjistruara në Evropë, të cilat tërheqin edhe vëmendjen e publikut, tregon se Rusia e konsideron përdorimin e dhunës një mjet legjitim.”

Merz: “As në luftë, as në paqe”

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar,  kancelari Friedrich Merz,  duke folur në një aktivitet të organizuar nga gazeta “Rheinische Post”, u shpreh lidhur me shkallën e aktivitetit rus në Gjermani si më poshtë: “Më lejoni ta shpreh me një fjali, e cila mund të duket pak tronditëse në shikim të parë, por e them pikërisht ashtu siç e them: Ne nuk jemi në luftë, por as nuk jemi më në paqe.”

Në mënyrë specifike, kancelari iu referua aty fluturimeve të dronëve që ishin vërejtur mbi Danimarkën dhe shtetin më verior gjerman të Schleswig-Holstein. Edhe këtu autoritetet hetimore supozuan se këto ishin me shumë gjasa dronë rusë.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Haxhiu s’vazhdon me votim për zgjedhjen e Presidentit: S’ka kuorum, s’janë 80 deputetë, po e ndërpres

Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…

3 orë ago
  • KRYESORE

S’ka kuorum për t’i votuar amendamentet, seanca për zgjedhjen e Presidentit nga ora 22:00

Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…

4 orë ago
  • BOTA

Mediat iraniane pretendojnë se Garda Revolucionare e Iranit ka goditur me dronë aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln

Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…

4 orë ago
  • POLITIKE

Kuvendi del me njoftim për seancën e thirrur për amendamentet e Presidentes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…

5 orë ago
  • KRYESORE

Trump i thotë Teheranit: Unë personalisht do ta zgjedh ajatollahun tuaj të ri!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…

5 orë ago
  • KRYESORE

Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…

9 orë ago