Djegia e Kuranit në Stokholm revolton irakianët, “pushtohet” ambasada suedeze në Bagdad

Ambasada suedeze në Bagdad është vendosur në qendër të sulmeve nga dhjetëra irakianë të inatosur, vetëm një ditë pasi libri i shenjtë i myslimanëve, Kurani, u dogj në Stokholm.

Dhjetëra vende myslimane dënuan ashpër vendimin e Suedisë për lejimin e një burri me prejardhje nga Iraku që të djegë Kuranin jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit, por në vendin e tij të origjinës reagimi ka qenë edhe më i ashpër.

Irakianët sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad, me pamjet që tregojnë një turmë të zemëruar që hedhin në tokë një portë hekuri duke u futur më pas brenda kompleksit rezidencial ku qendra diplomatike ndodhet.

Një video e dytë tregon njerëz që ngjiteshin në majë të ndërtesës së mbuluar me tela me gjemba, duke kënduar dhe valëvitur flamuj.

Ata gjithashtu shpërndanë fletëpalosje me mesazhe në arabisht dhe anglisht ku thuhej: “Kushtetuta jonë është Kurani”.

“Po, po për Kuranin”, ishte shprehja që po ashtu u shkrua me bojë të zezë në portën që çon në ambasadë.

Demonstruesit, mbështetës të liderit shiit, Moqtada Sadr, qëndruan brenda për rreth 15 minuta përpara se të largoheshin paqësisht ndërsa forcat e sigurisë u rikthyen në vend.

Djegia e Kuranit u realizua ditën e djeshme nën një prani të madhe policore dhe përpara një turme prej 200 vetash.

https://www.youtube.com/watch?v=1bVPYaDSHk4&ab_channel=FMImagesAlbania