Policia bashkiake mësyn në fshatin Mustafakoç në Baldushk dhe me mjete të rënda ka hyrë në tokat e mbjella të banorëve të zonës.
Më shumë se 30 familje në zonë kundërshtojnë projektin ku është planifikuar ndërtimi i pallateve për banorët banesa e të cilëve u është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019. Gjendja është e rënduar pasi banorët shohin me sy si po u shkatërrohen tokat e mbjella për të cilat ata kanë derdhur mund dhe djersë. Madje një grua thotë se ka marrë kredi për ta punuar. Banorët janë në proces gjyqësor. Ata nuk janë kundër rindërtimit, por përsa kohë janë në proces gjyqësor të përfundojë ky proces.
Një gruaje i ka rënë të fikët, si pasojë e përplasjeve, ndërkohë që në ndryshim nga sa thuhet nga Bashkia, se toka po iu merret për të ndërtuar banesa për qytetarët e prekur nga tërmeti, pronarët thonë se aty do të ndërtohen 52 vila.
Banorët thonë se tokën e kanë të trashëguar, dhe beteja me bashkinë ende nuk ka marrë fund në Gjykata.
Pjesë nga thirrjet e banorëve:
E jona, e jona është toka, e kemi tokën e trashëguar, që në vitin 1938, është skandal, nuk funksionon gjykata.
Na kanë vrarë me gjithë sa jemi, nuk japin asnjë shpjegim. Këtu do të bëhen 52 vila, këtu ka banorë.
Çfarë është kjo hata kështu mo, a ka më turp mo, kemi 30 vite që punojmë.
Rri mos më prekni me dorë fare se jam në të drejtën time, hiqni duart, se jam në pronën time, hajdutë.
Çfarë është kjo hata e zezë që bëhet kështu. Këto nuk pyesin për gjyq, kemi që në vitin 2019 që e kemi çuar në gjykatë çështjen.