Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë sanksione të rënda ndaj Rusisë nëse nuk tërheq ushtrinë e vendosur pranë kufirit me Ukrainën. Kievi shprehet gati për luftë, ndërsa sot pritet që presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu rus, Vladimir Putin, të zhvillojnë një takim virtual.
“Presidenti Putin vijon të shtojë aftësitë ushtarake në pjesën perëndimore të vendit të tij dhe përreth Ukrainës”, deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Imazhet satelitore shfaqën një prezencë të paprecedentë të forcave ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes i Kievit lëshon një paralajmërim, nëse Rusia pushton.
“Do të jetë vërtetë një masakër e përgjakur. Rusët do të kthehen pas në arkivolë”, thotë ministri i Mbrojtjes i Ukrainës.
Burime në Shtëpinë e Bardhë thonë se administrata Biden do të ndëshkojë Rusinë me sanksione të rënda nëse sulmon Ukrainën.
“Ky është momenti që Rusia të tërheqë pas ushtrinë e përqendruar në kufi. Diplomacia është rruga e drejtë përpara”, shprehet sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Kremlini reagoi ndaj raportimeve për sanksione të mundshme amerikane duke i quajtur ato “histeri informacioni”.
Tani, Presidenti Biden do të mbajë një takim virtual me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Kemi qenë në dijeni të veprimeve të Rusisë prej shumë kohësh. Pres që ne të kemi një diskutim shumë të gjatë me Putin”, tha Biden.
“Nëse mund të këshilloj presidentin Biden, do të preferoja që ai t’i artikulojë qartë zotit Putin se nuk mund të ketë vija të kuqe nga Kremlini. Ato mund të vendosen nga Ukraina dhe bota e civilizuar do të reagojë pa asnjë hezitim”, u shpreh Reznikov.