Doktor Dhimitër Kraja ka triumfuar përballë virusit vdekjeprurës të COVID-19. Euronews Albania ka mësuar se mjeku Kraja, i cili edhe pse në pension u vetëofrua për të ndihmuar kolegët dhe qytetarët, ka rezultuar negativ në dy teste e kryera.
Lajmi i mirë u konfirmuar më vonë edhe nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila shkruan në “Facebook” se, mjeku i njohur ka lënë ambientet e Spitalit Infektiv dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Shpresat janë rritur edhe për kreun e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili pothuajse është shëruar plotësisht nga ky virus, që për fat të keq po vijon të marrë çdo ditë jetën e mijëra personave në mbarë botën. Ekspertët e Komitetit të Epidemisë në Shqipëri u shprehën optimistë, duke shtuar se piku i COVID-19 në Shqipëri mund të arrijë kulmin në javën e pestë.
Drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, Eugena Tomini tha se sipas projeksioneve të deritanishme, piku i COVID-19 më Shqipëri pritet të arrijë në javën e pestë.
“Në këndvështrimin tim, rastet janë të pritshme. Shpresoj që ky trend i zbutur dhe jo agresiv të vijojë, dhe në javën e 5-të të jetë dhe piku i kësaj epidemie”, u shpreh zonja Tomini.