Doktor Petrela: Nuk më del shpirti po nuk e ngrita neurorkirurgjinë kosovare

Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela ka dhënë sotnjë premtim të madh. Tha se nuk do të vdes pa e ndihmuar Kosovën që ta ngrisë neurokirurgjinë.

Doktor Petrela këtë premtim e dha gjatë fjalimit të tij pasi u laureua me çmimin për vepër jetësore “Prof. Sami Haxhibeqiri” nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në hapjen e Kongresit të dytë klinik.

Petrela dha zotimin e madh se do të angazhohet për ta ndihmuar Kosovën që të avancojë shërbimin e neurokirurgjisë.

“Nuk më del shpirti po nuk ngrita neurorkirurgjinë kosovare”, ka deklaruar Petrela.

Më tej në fjalimin e tij, Petrela tha se kurirgët shqiptar vijnë nga masa kritike që nuk i lejon të rrinë me folklore lokal.

“Nuk jam special, jam si gjithë të tjerët. Por kam kuptuar një gjë, që ne kirurgët shqiptar vijmë nga një masë kritike siç e quan miku im Ismail Kadare, që ne nuk na lejohet të rrijmë në folkloret lokale por të dalim në civilizim”.

“Ndejtja në kongrese duke treguar mburrje e kirurgëve lokal, kjo masë kritike tashti nuk na lejon. Ne duhet të dalim me punimet tona duke shfrytëzuar gjuhën, që kemi një diasporë shumë të fuqishme sidomos ajo kosovare, që të na tërheqin në punimet ndërkombëtare. Po nuk dolëm në punimet ndërkombëtare, ne do të mbesim duke treguar histori fshati”, ka thënë Petrela.

Kujtojmë se neurokirurgu para disa muajsh ka ndihmuar në kryerjen e një operacioni në QKUK, i cili nuk ishte kryer asnjëherë më parë.