Pas paralajmërimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për arrestim ditën e sotme, zyrtarët në Neë York dhe Washington janë mobilizuar duke marrë masa sigurie në rast protestash.
Oficerët e NYPD, sipas CNN, janë bërë gati për t’u vendosur në gatishmëri në rast se qytetarët ngrihen në protesta në mbrojtje të Trump.
Ndaj ish-presidentit kanë nisur hetimet lidhur me rolin e tij në një skemë pagesë për yllin e filmit pornografik Stormy Daniels. Marrja e masave erdhi pas postimeve në rrjete sociale nga ish-presidenti, ku u bënte thirrje mbështetësve të tij që të ngriheshin në protesta nëse do arrestohej.
Sipas një vlerësimi të inteligjencës së departamentit, “Policia e Uashingtonit po përgatitet në mënyrë të ngjashme me sulmet në Kapitol, forca e Policisë së Kapitolit të SHBA aktualisht nuk po gjurmon ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ose të besueshëm ndaj Kapitolit të SHBA”.
Arrestimi i Trump mund të ndodhë në çdo moment. Zyra e Manhattan DA ka sinjalizuar se është afër një vendimi për të paditur ose jo ish-presidentin.
Avokati Robert Costello, me kërkesë të ekipit ligjor të Trump, dëshmoi të hënën (21 mars) për gati tre orë para jurisë së madhe, në përpjekje për të diskredituar dëshminë e ish-avokatit të ish-presidentit, Michael Cohen, i cili ka pranuar se i ka paguar 130,000 dollarë Daniels, para zgjedhjeve të 2016-ës, për ta ndaluar atë të dalë publikisht për një lidhje të supozuar me ish-presidentin.