Dosja misterioze që Agim Veliu e mban gjithmonë përballë VV’së, sot u shpërfill para Grenellit

Dosja e njohur e nënkrytarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës u la anash e shpërfillur sot në takimin e rëndësisë së lartë me të Dërguarin Special të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka qenë rregullisht pjesë e takimeve LDK-VV për krijimin e koalicionit. Veliu në cdo takim e ka pasur me vete edhe këtë dokument. Sic edhe shihet në të gjitha fotot, ai nuk shkon në asnjë takim me VV’në pa të.


Por sot në vizitën e ambasadorit Richard Grenell fasiklla ishte lënë anash e shpërfillur nga Veliu. Grenell, që njihet edhe si njeriu i presidentit amerikan, Donald Trump, ka një rol në arritjen e marrëveshjes historike. Ai vizitoi sot zyret e LDK’së dhe VV’së, dy partive me më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, pas që paraprakisht kishte takuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Grenell nguli këmbë që vizitat e tij nuk kishin të bënin fare me gjendjen e politikës lokale në Kosovë, por ai është i interesuar për të rritur zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës në këto takime.


Ndërkohë, Kryetari i Podujevës njihet për rolin e tij kontradiktor në arritjen e marrëveshjes për krijimin e qeverisë. Madje sipas fjalëve të njërit prej eksponentëve të VV’së, ishte Veliu ai që nuk dëgjoi asnjëherë ofertat e VV’së në takime, dhe sa herë që subjekti i kundërt kishte propozuar diçka tjetër për dallim prej ofertës fillestare të LDK’së, ai është cituar të ketë thënë fjalët “çohuni se nuk paska asgjë këtu”.

Se çfarë mbanë ajo dosje aq e nevojshme për Veliun vetëm mund të spekulohet. Por gjithsesi, duket se ajo vlen më shumë kur është e pranishme në takimet me VV’në, e jo me zyrtarë të lartë të SHBA’së.