Qëndrimet e opinionit publik në Serbi do të ndryshonin sikur t’i kumtohej e vërteta në lidhje me Kosovën dhe krmet e luftës të cilat i ka bërë Serbia, dhe këtë gjatë bisedave e këshillon presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin ta bëjë, ka thënë lideri i Lëvizjes së Përtëritjes Serbe, parti e cila ka qenë kundërshtare kryesore e politikës së Millosheviqit në vitet e nëntëdhjeta në Serbi.
Ai ka thënë se sot nuk ka opozitë të tillë në Serbi siç ishte LPS në vitet 1990 dhe 1991.
“Atëbotë është humbur rasti historik për ndryshimin rrënjësor të sistemit. Nuk është bërë as sot, sot e kemi situatën se nga të gjitha anët jemi të rrethuar me perëndim, prej nga vijnë investimet, teknologjia, ndihma e gjithmbarshme, në perëndim tashmë jeton gjysma e popullit tonë, ndërsa Rusia na shet armë…
Kosova është e humbur, e ka humbur ai regjim kundër të cilit kemi luftuar, ka thënë Drashkoviq dhe ka shtuar se opozita e tanishme thotë “nuk e japim Kosovën e shenjtë, ne jemi për status quo, për vdekje të Serbisë”. Ky është orientimi, ta mbrojmë atë çfarë nuk e kemi, çfarë është humbur, kjo është politikë e opozitës në Serbi”.
Serbia nuk mundet askund pa e zgjidhë këtë çështje, dhe ajo në të vërtetë është zgjidhur me Rezolutën 1244 me të cilën Serbia është dëbuar nga Kosova, ka thënë ai.
Në pyetje se a pajtohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq kur ata bisedojnë për Kosovën, ai ka thënë se po, edhe më shumë sesa duket në publik.
“Pozita ime është më e lehtë, unë nuk kam çfarë të humbi duke luftuar për të vërtetën. Ai me siguri po e ruan trupin votues dhe votat. Shumë më tepër pajtohemi kur flasim si dy burra, si dy liderë, sesa kur ai, në situatën kur mund t’i humbë votat për shkak të vërtetës, me siguri nguron ta thotë të vërtetën”, ka thënë Drashkoviq.
Ai ka shtuar se opinioni publik do të ndryshonte sikur t’i kumtohej e vërteta, gjë që edhe e këshillon presidentin e Serbisë ta bëjë.
“I kam thënë, ju duhet sikur De Gaulle, të shkëputni, të rrezikoni, më së shumti rrezikon ai i cili nuk rrezikon. Besoj se sikur t’i kumtohej Serbisë e vërteta për atë se kah na qon rruga për në Uashington dhe Bruksel e kah për në Moskë, çfarë ka ndodhur me Kosovën, sikur të ishin hapur dosjet e krimeve të bërë nga dora serbe në vitet e nëntëdhjeta, për një kohë të shkurtër situata në opinionin publik rrënjësisht do të ndryshonte. Këtë i them shpesh. Ai nuk më thotë asgjë, por besoj se nuk do të ketë zgjidhje tjetër, a është Serbia vend normal apo është Siri apo Venezuelë”, ka thënë Drashkoviq.
Ai gjithashtu ka përmendur nevojën e ndryshimit të Kushtetutës serbe në mënyrë që gjërat të shkojnë në drejtimin e pranimit të realitetit.
“Preambula se Kosova është krahinë autonome nën sundimin e Serbisë është një normë e pakuptimtë e cila nuk guxon të qëndrojë në Kushtetutë, por edhe tani që qëndron, askënd nuk e obligon”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se tashmë në perëndime gjendet gjysma e popullatës serbe, dhe se të gjithë të cilët po ikin nuk po ikin në Rusi apo Kinë, por të gjithë po shkojnë në perëndim, ata po ikin nga varfëria, mungesa e shpresës, prej medieve çfarë janë në Serbi, tmerrit, turpit. Ikin njerëzit të cilët kanë mend, këto kohëra janë serioze dhe tragjike”.