Drejtësia amerikane ka vendosur të dërgojë pas hekurave ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, me 4 vite e 1 muaj burg, pasi akuzohej se ka punuar për llogari të oligarkut rus Oleg Deripaska.
55-vjeçari shpërtheu në lot këtë të enjte teksa iu komunikua në një gjykatë në Nju Jork se do të vuajë dënimin në një burg federal deri më 26 shkurt 2024. Pasi të kryejë dënimin ish-agjenti i FBI do të duhet të qëndrojë për tre vite në liri me kusht dhe do të shlyejë një gjobë prej 40 mijë dollarësh.
“Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më shkakton dhimbje ekstreme emocionale dhe fizike. Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi”, i tha McGonigal trupës së gjyqtarëve përpara se të komunikohej vendimi për të.
Gjykatësja Jennifer Rearden shprehu vlerësim për kontributin e McGonigal në operacionet e kundërspiunazhit në emër të SHBA-ve, por vuri në dukje “seriozitetin e jashtëzakonshëm” të zgjedhjes së tij personale për të punuar për Deripaskën, të cilin SHBA e sanksionoi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Z. McGongial e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione”, tha Rearden.
Prokurorët federalë kishin kërkuar një dënim me pesë vjet burg për McGonigal, pasi e akuzuan atë për abuzim me aftësitë dhe ndikimin që i kishte besuar vendi i tij, por ai u dënua me vetëm 50 muaj, ndërsa do t’i duhet të dorëzohet tek autoritetet për të nisur vuajtjen e dënimit më 26 shkurt.
McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u deklarua fajtor për akuzën në gusht të këtij viti dhe u bë një nga agjentët më me influencë që është përballur ndonjëherë me akuza penale për bashkëpunim me rusët.
Ai shërbeu si agjent special i ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork. Në atë pozicion, McGonigal mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, që përfshinin Oleg Deripaskën, të cilëve u ofronte shërbime të palejueshme.
“McGonigal e dinte mirë se Deripaska ishte sanksionuar. Ai nuk mund të pretendojë se ai nuk ishte në dijeni se po i shiste shërbimet e tij një të poshtër që punon kundër interesave të Amerikës. Megjithëse detyra e parë që i caktoi Deripaska rekrutit të tij të ri mund të mos ishte shfaqur veçanërisht e keqe, McGonigal shpresonte të bënte miliona dollarë në punën e ardhshme për oligarkun. McGonigal po shiste diçka po aq të dobishme për armiqtë e Amerikës sa teknologjia ushtarake”, thanë prokurorët në memorandumin e tyre të dënimit.
55-veçarit do t’i duhet të përballet sërish me gjykatën në fillim të vitit të ardhshëm, këtë herë në Uashington, për çështjen që e lidh atë me Shqipërinë. McGonigal akuzohet se ka mbajtur të fshehtë një pagesë prej 250 mijë dollarësh, që i është bërë atij nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare gjatë kohës që punonte si agjent i FBI. Sa i përket kësaj çështje, McGonigal rrezikon të dënohet me 5 vite burg, pasi ai pak kohë pranoi fajin.