Drejtori i burgjeve jep detaje për suspendimin e drejtorit të Dyzit

Ministria e Drejtësisë e ka suspenduar sot Burim Buleshkajn, ushtruesin e detyrës së burgut të Sigurisë së Lartë.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zyra e ministres së Drejtësisë.

Por më shumë detaje rreth këtij suspendimi ka dhënë Nehat Thaçi, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Lidhur me rastin në fjalë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vendosur për pezullim të përkohshëm nga puna të U. D Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, dhe njëkohësisht ka ngritur komision hetimor lidhur me këtë çështje”.

Vendimi ka ardhur pas ndejës private në Shalë të Bajgorës për të cilën ka raportuar mbrëmë Gazeta Hulumtuese Insajderi.

Në të kishin marrë pjesë Buleshkaj – e ku shihej edhe vëllau i Presidentit, Nazmi Thaçi si dhe dy persona të dyshuar për lidhje me krimin: biznesmeni Blerim Potera dhe Bedri Mustafa, vëllau i komandant “Remit” – të njëjtit kanë shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës për anulimin dhe mospmarrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të ndryshme në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.