Karriera e kantautores kosovaro-britanike, Dua Lipa, ka përparuar shumë nga viti 2013 kur debutoi në skenën ndërkombëtare të muzikës.
Pas lansimit të albumit të parë në vitin 2017, Lipa ka krijuar hit pas hiti të cilat jo vetëm që i kanë sjell çmime të rëndësishme, përfshirë këtu tri shpërblime “Grammy”, por bukuria e saj kombinuar me zërin unik dhe talentin si tekstshkruese, po ashtu e kanë shndërruar atë në një ndër këngëtaret e preferuara për fansat anembanë botës.
Bukuroshja 26-vjeçare fillimet e saj i pati në fushën e modës, para se të hiqte dorë nga modelimi për t’u fokusuar në muzikë. Duke e krijuar një karrierë të suksesshme që për një kohë të shkurtër e shndërroi në yll botëror të popit, nuk ka fare dyshim se Dua Lipa fiton shumë të holla me punën e saj.
Por, viti 2021 duket të ketë qenë veçanërisht frytdhënës për këngëtaren, pasi mediat e huaja raportojnë se Dua i ka fituar afërsisht 2.5 milionë dollarë në muaj. Sipas gazetës “The Sun”, ylli i hitit “Levitating” është shndërruar në një nga artistet më fitimprurëse në industrinë e muzikës, dhe besohet se brenda këtij viti e ka dyfishuar pasurinë e saj.
Lipa po arkëton aq shumë para, jo vetëm përmes shitjeve të muzikës sa saj por edhe bashkëpunimeve me kompani dhe marka të mëdha, si uji “Evian”, “Puma” dhe “Yves Saint Laurent”. Por, kontributin më të madh në rritjet e pasurisë e shënojnë turnetë muzikorë të këngëtares.
Dokumentet e financave të Lipës zbuluan se në vitin 2021, këngëtarja i ka fituar rreth 37 milionë dollarë përmes kompanisë së saj që merret me organizimin e turneve, “Dua Lipa Live LLP”.
Derisa për publikun, lansimi i hiteve për çdo vit dhe vazhdimi i fitimit të miliona dollarëve duket si diçka e lehtë për këngëtaren, ajo thotë se rrugëtimi i saj drejt famës nuk ishte edhe aq i lehtë.
“Mendoj se duke qenë një emër i ri në skenë, e kam pasur të vështirë të depërtojë në platformat muzikore, sepse në realitet derisa ta publikosh albumin e dytë muzikor, ti vazhdon të konsiderohesh artiste e re në këtë industri. Andaj nevojitet shumë punë për të arritur të dëgjohesh dhe shikohesh nga publiku anembanë botës”, ka deklaruar Lipa në një intervistë ekskluzive për mediumin indian, “First Post”.
Derisa, Dua me kalimin e kohës po shndërrohet në një prej muzikanteve më të pasura në botë, ajo si shumë të famshëm të tjerë, vjen nga një kaluar modeste.
Sipas një artikulli të publikuar në gazetën “The Guardian”, prindërit e këngëtares, Anesa dhe Dukagjin Lipa, ishin larguar nga vendlindja për shkak të shpërthimit të luftës në Kosovë. Me të arritur në Britani të Madhe, ata ishin detyruar të punojnë si kamerierë në kafene dhe bare të ndryshme, derisa e kanë vazhduar shkollimin dhe kanë punuar shumë për t’iu siguruar fëmijëve, Dua, Rina dhe Gjini, një të ardhme sa më të mirë.
Tani që ylli o hitit “New Rules” e gëzon një pasuri milionëshe, ajo nuk ngurron t’i shpenzoje të hollat e fituara me mund për ta kënaqur veten me pak luks dhe gjëra të shtrenjta. Lipa e posedon një shtëpi luksoze në Londër, disa vetura të kushtueshme dhe një gardërobë të përbërë nga veshje të markave më të njohura të modës në botë.
Por, ajo asnjëherë nuk harron ta ndajë pasurinë e saj edhe me personat më pak fatlum, pasi Dua shquhet për angazhimet e saj në fushën e bamirësisë. Këngëtarja dhuroi miliona dollarë për fondacionin “Sunny Hill” në Kosovë dhe Shqipëri, në përpjekje për të mbështetur njerëzit që vuajnë nga varfëria. Ajo gjithashtu dhuron për mirëqenien e të paprivilegjuarve në Londër.