Dukagjin Lipa: Festivali “Sunny Hill” i sjell kryeqytetit 20 milionë euro brenda një jave

Organizatori i Festivalit ‘Sunny Hill’, Dukagjin Lipa, është shprehur se përpos imazhit të mirë për vendin, ndikimi ekonomik që sjell festivali  është milionësh.

Sipas tij, në bazë të matjeve që kanë bërë me një kompani angleze, për një javë kryeqyteti fiton 20 milionë euro.

Ai po ashtu theksoi se Dua Lipa është promotorja më e madhe e Festivalit. “Një promocion të tillë është shumë vështirë me pagu në botë”.

“Momentalisht Prishtina i ka 100% të hoteleve të mbushura, hotelet e vogla po ashtu, airbnb prej sa kam dëgju ka shumë që janë lëshu në Prishtinë. Impakti ekonomik i Festivalit e kalon shumën prej 20 milionë euro për një javë, pra njerëzit që vijnë, hoteli, ushqimi, blerjet, kjo është përfitim për qytetin”- tha Lipa.

“Nuk ka biznes në Kosovë që ia jep Prishtinës 20 milionë për 1 javë” – shtoi tutje ai.

Dukagjin Lipa tha se në bazë të dhënave nga edicionet e kaluara rreth 45% e audiencës është ndërkombëtare, duke mos harruar edhe faktin që diaspora po ashtu regjistrohet si e huaj.

Tutje, Lipa theksoi se Kosova ka rininë më të mirë që ka hasur ndonjëherë pasi nuk kanë shkaktuar incidente në Festival.

“Ndoshta tingëllon palidhje, por e kemi rininë më të mirën që e kam hasur ndonjëherë, prej vitit 2016 (kur Dua Lipa mbajti koncert) kur kemi nisë, është mburrje për neve të themi se asnjë incident të vetëm nuk e kemi në festival, kjo është shumë e rrallë. Kjo na ka ndihmuar shumë në organizim”- shtoi me tej Lipa.

Ai po ashtu bëri me dije se kanë marrëveshje me ndërmarrjen ‘Trafiku Urban’ për organizim të transportit.

“Transporti do jetë falas me një marrëveshje që kemi më “Trafikun Urban”, shumë më mirë është të vijnë pa makina, autobusët do jenë çdo 15 minuta prej orës 14:00 deri në 11:00 në vajtje dhe pastaj në kthim do ketë prej 02:00 deri në 05:30 të mëngjesit” – shtoi Lipa.