Ka dy humbës të mëdha të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë: PDK e presidentit Hashim Thaçi dhe AAK-ja e kryeministrit ende në detyrë Ramush Haradinaj. Të dy ish-komandantët e UÇK-së, që luftuan në vitet 1990 kundër regjimit serb, kanë qenë në rotacion në pushtet në këto dy dekada pas luftës.
Megjithatë asnjëri prej tyre deri tani nuk ia doli të ofrojë zgjidhje bindëse për problemet e mëdha të shtetit të vogël në Ballkan dhe as nuk mundën të realizojnë kthesën e madhe për një marrëveshje mbi normalizimin e raporteve me Serbinë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Zgjedhësit e zhgënjyer donin ndryshim: Partitë e opozitës Vetëvendosja dhe LDK-ja fituan secila pak më shumë se 25 përqind të votave.
Fitorja fare e ngushtë e lëvizjes së majtë që konsiderohet radikale, Vetëvendosja, kundrejt liberal-konservatores LDK tregon, se sa e përçarë është shoqëria kosovare lidhur me qendrimin në bisedimet me Serbinë. Ndërkohë që LDK tradicionalisht ka ndjekur linjën pacifiste-diplomatike të figurës ikonë, ish-kryetarit të saj Ibrahim Rugova, Vetëvendosja nën Albin Kurtin ka qenë gjithmonë kategorikisht kundër kompromiseve.
Albin Kurti – nga rebel në realist
Nëse qeveria e re do të krijohet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, priten bisdime të vështira me Beogradin. Mbetet të shihet, nëse Beogradi do të pranojë të ulet në një tyrezë me Albin Kurtin. Ky i fundit, një ndër figurat kyçe të lëvizjes studentore të viteve 1990, në mars 2000 u dënua me 15 vjet heqje lirie në Serbi nën akuzën për antarësim në një organizatë terroriste. Vetëm pas presionit ndërkombëtar dhe me ndryshimin e qeverisë në Beograd atë e liruan në vitin 2001. Me tezat radikale – kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë, për një politikë të vetëvendosjes së kosovarëve, kundër çdo kompromisi në dialog me Serbinë e madje deri tek kërkesa për një bashkim të trojeve shqiptare – partia e tij bënte gjithnjë e më shumë për vete zgjedhësit e zhgënjyer. Rëndom kjo parti ka tërhequr vëmendjen brenda dhe jashtë vendit me protestat e ashpra e deri dhe të dhunshme kundër qeverisë, korrupsionit galopant dhe gjendjes së mjeruar në Kosovë.
44 vjeçari Albin Kurti konsiderohet rebel politik i pakompromentueshëm. Njëkohësisht ai ia ka dalë të preazantohet në botën e jashtme si një politikan intelektual, karizmatik dhe me përvojë. Fakti që „bashkimi i trojeve shqiptare” nuk është më temë për të, madje as në fushatën elektorale nuk u përmend me asnjë fjalë – flet për një linjë të re realiste të tij.