Dy të prekurit me virus janë në gjendje stabile

Dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë. Bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë. Për gjendjen e tyre ka folur infektologu, Valbon Krasniqi.

Në një prononcim për Express, Krasniqi ka thënë se gjendja e të infektuarve është stabile. Sipas tij, vetëm mbrëmë janë testuar mbi 20 raste.

“Gjendja e të infektuarve ka qenë stabile deri në mesnatë sa kam qenë në ndërrim. Nuk ka pas ndonjë përkeqësim. Vetëm dje janë testuar mbi 20 raste, po për shifra më të sakta dalim në fund të ditës”, ka thënë Krasniqi për Express.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë.