‘E kam një kallash te shpija, me ty merrna më vonë’ – Ferizajasi kërcënon policin në Stacion Policor

Mbrëmë pas mesnate në Stacionin Policor në Ferizaj, një person dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se i dyshuari fillimisht ishte ftuar që të shkojë në stacion së bashku me djalin e tij të mitur, pasi ky i fundit kishte kryer një rast më herët.

Sinjali mëson se motiv për mllefosjen e babait 52-vjeçar ndaj policëve, janë ankesat e djalit të tij, i cili i kishte thënë se Policia kishte përdorur dhunë ndaj tij.

Kjo u bë shkak që ferizajasi të eskalojë deri në atë pikë ku t’i drejtohet policit 32-vjeçar (emër i njohur për redaksinë) me fjalët “me ty shihemi, kena me kry ma vonë”.

I njëjti kishte vazhduar me kërcënime ndaj policit në fjalë edhe gjatë kohës kur po jepte deklaratë në prani të një tjetër zyrtari policor, duke thënë se ‘për F.S., e kam një kallash te shpija dhe merrem ma vonë me të”.

Sipas burimeve, janë njoftuar njësia e hetimeve rajonale të cilat pritet të merren me rastin, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit dhe është hapur rast ‘Kanosje‘.