Rreth dy orë para se rrezet e para të diellit të binin mbi dritaret e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fytyra e Lip Salihut u ndriçua kur iu bë e ditur se sapo ishte bërë baba për herë të parë.
Për këtë lajm, që e mori rreth orës 4:30 të mëngjesit së 20 shtatorit të vitit të kaluar, jashtë sallës së lindjes, ai dhe bashkëshortja e tij ishin përgatitur për muaj me radhë.
“Ne, në përputhshmëri të plotë, në bazën e politikave familjare, kemi planifikuar pushimin për lindjen e vajzës sonë”, rrëfen Salihu, nga fshati Banullë i Lipjanit, për Radion Evropa e Lirë.
Shkaku i Ligjit të punës në fuqi, ai është detyruar ta ruajë pushimin e tij vjetor dhe të marrë edhe një muaj pushim pa pagesë, në mënyrë që të jetë në dispozicion të bashkëshortes së tij pas lindjes dhe t’i përjetojë momentet e para të jetës së vajzës së tyre, Odetës.
“Përpjekjet e bashkërenduara të prindërve lehtësojnë rolin e barrshëm të nënës dhe sigurojnë mbrojtje dhe kujdes më të mirë për fëmijët”, thotë Salihu, me profesion mësimdhënës.
Pushimi, sipas tij, ndihmon edhe në krijimin e një lidhjeje më të fortë emocionale me fëmijën.
Dëshirën e njëjtë, për ta shijuar fillimin e një jete të re larg presionit të punës dhe afër familjes, e ndajnë edhe shumë burra të tjerë, sipas Igballe Rugovës, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK).
“Shtatëdhjetë për qind e burrave thanë [gjatë një hulumtimi] që edhe ata dëshirojnë leje prindërore. Pra, kjo është kërkesë edhe e burrave që të jenë pjesë e drejtë e rritjes së fëmijëve për një kohë të përcaktuar”, thotë Rugova.
RRGK-ja, në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), ka propozuar një ndryshim në Ligjin e punës, në mënyrë që kjo dëshirë e baballarëve të bëhet realitet.
Në bazë të Ligji për marrëdhënie pune, njëri nga dy prindërit ka të drejtë të marrë pushimin e lehonisë për nëntë muaj. Nënave lehona në Kosovë u takojnë 12 muaj pushim, prej të cilëve nëntë muajt e parë janë me pagesë.
Në anën tjetër, babai i fëmijës ka të drejtë vetëm në dy ditë pushim me pagesë pas lindjes së fëmijës dhe dy javë pushim të papaguar. Të drejtat e pushimit të nënës mund të barten te babai i fëmijës vetëm në rastet kur nëna vdes, braktis fëmijën ose prindërit merren vesh mes vete.
Por, RRGK-ja ka propozuar që të ndryshohet kjo skemë. Sipas kërkesës së kësaj organizate, gjashtë muaj duhet të ndahen si leje e lehonisë për nënat dhe një muaj si leje e atësisë për baballarët. Gjashtëmujori i dytë, që cilësohet si leje prindërore, mund të ndahet mes dy prindërve. Megjithatë, së paku një muaj planifikohet të jetë i patransferueshëm nga baballarët te nënat.
Inspektorati i Punës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë, ka thënë se, e ka pranuar propozimin e RRGK-së. “Ky propozim është inkorporuar në draftin e Ligjit të punës dhe pritet t’i kalojë procedurat e tjera ligjore”, thuhet në përgjijgen e Inspektoratit të Punës për REL-in.
Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Kosovë, beson se propozimi për ndryshimin e legjislacionit duhet të jetë edhe më rigoroz.
“[Duhet] të jemi më rigorozë te pushimi i baballarëve, në kuptimin që të shkohet edhe një hap më larg: nëse nuk e marrin pushimin, atëherë të mos iu paguhet rroga atë muaj”, thotë Mujko-Nimani.
Gratë, viktima edhe të diskriminimit
Arsyeja pse kërkohet që edhe baballarët të marrin pushim prindëror qëndron edhe te përmirësimi i mirëqenies sociale për gratë.
Baballarët, të painteresuar për edukimin e hershëm të fëmijëve
Sandra Horina, shefe e Zyrës në Kosovë të Agjencisë Austriake për Zhvillim, beson se niveli më i lartë i papunësisë te gratë vjen si shkak i përgjegjësisë për përkujdesje ndaj fëmijës.
“Në Kosovë, gratë duhet të vendosin nëse duan të kenë fëmijë apo duan të punojnë. Nëse nuk ka pagesa për pushimin e lindjes apo të atësisë, ato natyrisht që do të vendosin të lindin fëmijë dhe të mos punojnë”, thotë Horina.
Për më tepër, ajo shton se pushimi prindëror për baballarët do të ndikonte dhe në ndarjen më të drejtë të përgjegjësive për përkujdesjen ndaj familjes dhe për detyrat shtëpiake.
Sipas raportit të publikuar nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, në tetor të vitit 2020, gratë në Kosovë dhe Shqipëri kalojnë 300% më shumë kohë në aktivitete shtëpiake dhe kujdes familjar sesa burrat.
Ndryshimi i skemës së pushimeve shkaku i lindjes së fëmijës do ta ulte barrën edhe mbi sektorin privat.
Ligji aktual e lë barrën kryesore për kompensimin e pagës te punëdhënësit, që duhet ta paguajnë 70% të pagës për nënat lehona gjatë gjashtë muajve të parë të pushimit të lehonisë.
Por, RRGK-ja propozon që kjo shumë, gjatë gjashtëmujorit të parë, të paguhet nga Qeveria, ndërsa 70% e pagës gjatë tremujorit vijues të kompensohet nga punëdhënësi.
Sipas RRGK-së, ky model do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës vetëm 5 milionë euro në vit më shumë sesa skema aktuale.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se kjo shumë nuk është aspak e madhe.
“Në fakt, kur i sheh të mirat që ia sjell vendit, ajo [shumë prej 5 milionë eurosh] është si një 50-centësh apo e pavërejtshme kur flasim për një buxhet prej dy miliardë e 300 ose 400 milionë eurosh”, thotë Rafuna.
Buxheti i Kosovës për këtë vit është mbi 2.7 miliardë euro. Por, Syzana Bytyqi Jagxhiu, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, beson se, kur flitet për pushimin prindëror, fokusi nuk duhet të jetë te kostoja.
“Pyetja do të duhej të ishte jo sa i kushton buxhetit të Kosovës mbulimi i pushimit prindëror, por sa i kushton Kosovës, shoqërisë sonë mosaktivizimi i gjysmës së popullatës”, shprehet ajo.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gratë përbëjnë afro gjysmën e popullsisë 1.7-milionëshe të vendit. Prej tyre, të punësuara janë rreth 15 për qind.
Tentime të ngjashme për ndryshimin e skemës së pushimeve të lehonisë dhe të lejes së atësisë ka pasur edhe më herët.
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila është zgjedhur në pranverë të vitit të kaluar, e ka këtë çështje pjesë të programit qeverisës, mirëpo ende nuk është bërë asnjë ndryshim në Ligjin e punës.