Në listën e bashkëpunëtorëve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe njëherit liderit të Partisë Socialiste, Ivica Daçiq, prej vitesh ka pasur njerëz të akuzuar për krime të rënda ose që për t’u ngritur në detyrë janë ndihmuar nga biznesmenë kontrovers, thuhet në një hulumtim të bërë nga e përditshmja serbe Kurir.
Në mesin e tyre janë Branko Lazareviq, shef i zyrës së kabinetit të Daçiqit në kohën kur ishte ministër i Policisë, drejtori aktual politik në ministrinë e Punëve të Jashtme, Zoran Vujiq, ndryshe i njohur si një njeri shumë i afërt dhe i lidhur me tregtarin kontrovers me armë SllobodanTeshiq, derisa në partinë SPS të Daçiqit, bashkëpunëtori më i ngushtë Vlladan Zagraxhanin, ishte akuzuar në rastin e aferës “Valixhja”.
Lazareviqi është liruar nga akuzat për zbulim të sekretit zyrtar për narko-klanin e Darko Shariqit, por disa javë më parë janë shfaqur prova – transkripte të bisedave – që ai pikërisht kishte bërë një gjë të tillë. Një audioincizim që e ka publikuar portali Krik, Lazareviqi dëgjohet duke biseduar me Rodolub Raduloviqin – Misha Bananen, ku thotë se do të kontrollojë edhe një herë nëse ndaj mikut të tij të ngushtë Shariq po zhvillohen hetime.
Prokuroria këto biseda po i cilëson si prova kyç që njerëzit e Daçiqit i kanë siguruar mafias informacione, por gjykatësi Danko Lausheviq i ka larguar ato nga procesi duke i vulosur ato. Në hulumtimin e Kurir, tutje thuhet që Vujiq për të ardhur në pozitën e drejtorit politik në ministrinë e Daçiqit, ndikim të madh ka pasur tregtari kontrovers me armë Sllobodan Teshiq, që ka qenë në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara për shkak të shkeljeve të sanksioneve për eksportimin e armëve në Liberi.
Madje Teshiq është lavdëruar që Vujiq është “njeriu i tyre”. Është interesant se si Teshiq dhe Vujiq janë të afërt me liderin e Partisë së Vuk Jeremiqit dhe bashkëpunëtorin e tij Zdravko Ponosh. Më saktësisht Teshiq, Ponosh dhe vëllait i Vujiqevit, që jeton në Kili, bëjnë tregti me armë në mbarë botën.
Njëri nga njerëzit e socialistëve ishte akuzuar për mitmarrje në aferën “Valixhja”. Zagraxhanin ishte liruar nga akuzat në vitin 2011, ndërsa miqtë e tij socialistë besojnë ai bën jetë luksoze me prona të shumta dhe vetura të shtrenjta… Në anën tjetër Ivica Daçiq edhe në partinë e tij SPS ka afër vetes, personin kontroverz, Vlladan Zagraxhenin, që kryen detyrën e kryetari i Komitetit Ekzekutiv të socialistëve, transmeton Telegrafi.
Se Daçiqi është i rrethuar me njerëz me biografi të tilla tregon dhe se mafia apo një pjesë e saj kanë “instaluar” njerëz përmes SPS-it, e konfirmon Ivan Niniq nga Qendra për sundim të ligjit: – Akuzat ndaj Lazareviqit dhe Zagraxhanin, pavarësisht që janë liruar nga ato, konfirmojnë se në rrethin e ngushtë të Daçiqit ekzistojnë njerëz që kanë detyra dhe t ‘i shërbejnë nevojave të mafisë. Nëse shikoni hartën e pronave, mënyrën e jetës, është e qartë se ata njerëz nuk jetojnë nga paga. Kjo tregon se rrethi i Daçiqit gëzon benefite të ndryshme në këmbim të punëve tjera. E që nuk janë procesuar nëpër gjykata tregon dobësinë e sistemit.