Ekskluzive: Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë -Beograd eliminon taksën ndaj Serbisë

Dje në Berlin, me ndërmjetësimin e amerikanëve është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e linjës ajrore Beograd – Prishtinë. Përfaqëuesi i kompanisë gjermane Lufthansa dhe Euroëings ka nënshkruar me zyrtarë nga Kosova e e Serbia letrën e qëllimit (dokumente të ndara), për të vendosur korridor të veçantë ajror për fluturime në dy kryeqytetet.

Gazeta Express e ka siguruar të plotë dokumentin që obligon Kosovën të heq taksën ndaj Serbisë të vendosur nga Kryeministri Haradinaj në nëntor të vitit 2018.

Dokumenti që nga ana kosovare në ceremoninë në Berlin është nënshkruar nga zyrtari i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, përvec firmës së Grupit Lufthansa mban edhe firmat e Aeroportit të Prishtinës dhe Komandantit të KFOR-it thekson se lëvizja në relacionin Prishtinë -Beograd do të realizohet në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel të njohur si IBM që siguron lëvizje vetëm me letërnjoftime.

“Marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të arritura gjatë dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, do të zbatohen për pasagjerët, postën dhe mallrat që transportohen përmes kësaj linje ajrore” thuhet në dokument.

Po ashtu theksohet se “Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe Aeroporti i Prishtinës konfirmojnë se operimi për në/nga Beogradi/Prishtina dhe anasjelltas do të funksionojë pa taksa shtesë dhe taksa për një shërbim në linjën BPSAR”. Pikërisht ky është edhe provizioni që kërkon heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë që në nëntor të vitit 2018 e kishte vendosur Kryeministri Ramush Haradinaj. Pala serbe menjëherë pas publikimit të lajmit se është arritur marrëveshja, ka bërë me dije se ajo nuk do të funksionalizohet pa u hequr taksa. E kryeministri Ramush Haradinaj I cili dje reagoi ndaj kësaj ngjarje e quajti hap gjigand.

Më poshtë po e sjellim të plotë “letrën e qëllimit” për hapjen e linjës ajrore Beograd Prishtinë.

Janar 2020

Letër e Qëllimit për Themelimin e Linjës së Veçantë Ajrore Beograd-Prishtinë

(BPSAR)

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti i Prishtinës dhe Misioni i NATO-s në Kosovë (Forca e Kosovës – KFOR-i) do të dëshironin të këshillonin dhe konfirmonin si më poshtë. Në lidhje me themelimin e linjës së veçantë dhe të ndërsjellë ajrore Beograd-Prishtinë për Grupin Lufthansa:

Palët e shprehin qëllimin e tyre për themelimin e Linjës së drejtpërdrejtë dhe të Veçantë Ajrore Beograd-Prishtinë (BPSAR). Njësia e Kontrollit të Trafikut Ajror (ATC) në Aeroportin e Prishtinës është autoritet kompetent për të ofruar shërbime të Kontrollit të Trafikut Ajror brenda sektorit të KFOR-it. KFOR-i është autoritet kompetent për mbikëqyrjen e dispozitave të shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror brenda sektorit të KFOR-it dhe përmbushjen e tyre në mënyrë të sigurt. Njësia e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin e Prishtinës do të ofrojë shërbime të Kontrollit të Trafikut Ajror për të gjithë aeroplanët që kontrollohen nga kompania “Eurowings” dhe transportuesve të Grupit Lufthansa brenda hapësirës ajrore të KFOR-it.

Këtu përfshihen fluturimi përmes linjave të drejtpërdrejta ajrore nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas, nisjet dhe aterimet në aeroportet e Prishtinës/Beogradit, në pajtueshmëri me Marrëveshjen për BPSAR-in. Si segment i shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror, komunikimi i drejtpërdrejtë do të zhvillohet mes ofruesve të shërbimeve në aeroporte, përfshirë ofruesit e shërbimeve të Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin e Beogradit apo të ndonjë kontrolli tjetër të trafikut ajror që kërkohet.

Institucionet në Kosovë, në pajtueshmëri me Marrëveshjen për BPSAR-in, do t’ua ofrojnë të drejtën kompanisë “Eurowings” dhe transportuesve të Grupit Lufthansa për ta zbatuar planin e fluturimit duke e përdorur kodin ICAO të BKPR-së për shërbimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Autorizimet përkatëse për hapësirën ajrore do të mbesin efektive, pa ndonjë miratim shtesë. Dhënia e pëlqimit i kërkon regjistrimin dhe lejet e nevojshme të lëshuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, të cilat nuk do të tërhiqen në rast se kompania “Euroëings” apo transportuesi i Grupit Lufthansa ka mundësi të paraqesë dokumentacion tipik dhe relevant të aeroplanit.

Operimi i tanishëm do të jetë subjekt i fizibilitetit komercial, teknik dhe procedural nga kompania “Eurowings” apo një transportues i Grupit Lufthansa, me përkrahjen e plotë të të gjitha palëve.

Aeroporti i Prishtinës menaxhohet dhe kontrollohet nga operatorët relevantë komercialë. Nëse kërkohet nga kompania “Euroëings” apo një transportues i Grupit Lufthansa, Aeroporti i Prishtinë do të nënshkruajë një marrëveshje të bazuar në Marrëveshjen Standarde për Menaxhimin Tokësor të IATA-së me Divizionin Lufthansa-Euroëings, duke siguruar që kompania “Euroëings” dhe transportuesit e Grupit Lufthansa do të marrin përkrahje të plotë për t’i ofruar shërbimet për pasagjerë në bazë të BPSAR-it. Këtu përfshihen përkrahja e ndërsjellë për menaxhimin e shërbimeve për pasagjerë, mallra dhe shërbime postare, mbushjen me karburant dhe përkrahjen gjatë lëshimit në tokë dhe ngritjes në qiell, shërbimin e pasagjerëve, mallrave, postës, valixheve dhe hyrjeve/daljeve të udhëtarëve që udhëtojnë përmes linjës BPSAR. Shërbimet duhet ta gëzojnë nivelin e njëjtë të shërbimit si çdo shërbim tjetër nga dhe drejt Prishtinës. Marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të arritura gjatë dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, do të zbatohen për pasagjerët, postën dhe mallrat që transportohen përmes kësaj linje ajrore.

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe Aeroporti i Prishtinës konfirmojnë se operimi për në/nga Beogradi/Prishtina dhe anasjelltas do të funksionojë pa taksa shtesë dhe taksa për një shërbim në linjën BPSAR. Në çfarëdo rasti, taksat dhe pagesat shtesë nuk do të jenë diskriminuese. Kompania “Euroëings” dhe transportuesit e Grupit Lufthansa do të kenë autoritet të plotë për të shitur bileta, për t’i përcaktuar tarifat për udhëtarë, mallra dhe dërgesa postare vetëm për shërbimet e ndërsjella mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas.

Realizimi i shitjeve të biletave mes kompanive të një transportuesi të Grupit Lufthansa për shërbimin e ndërsjellë do të mundësohet në çfarëdo kohe, me kusht që të jenë plotësuar të gjitha kushtet e rregulluesit. Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë e ka të qartë se kompania “Euroëings” apo një transportues i Grupit Lufthansa e ka të drejtën për t’i përdorur shërbimet nga partnerët për kryerjen e shërbimeve të ndërsjella, me pëlqimin paraprak të autoriteteve në fjalë.

Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i do të bëhen pjesë e një plani të përshtatshëm për qeverisjen dhe zbatimin e linjës BPSAR. Në çfarëdo rasti, KFOR-i do të vazhdojë ta ketë autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovë, në bazë të marrëveshjeve të njohura nga komuniteti ndërkombëtar për misionin e NATO-s në Kosovë. Në pajtueshmëri me Marrëveshjen dhe Planin, Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe KFOR-i do t’i harmonizojnë dhe do t’i nënshkruajnë Procedurat e Koordinimit për ekzekutimin e fluturimeve të linjës BPSAR. Në çfarëdo kohe, Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti i Prishtinës dhe KFOR-i do të sigurojnë realizim të sigurt të fluturimeve të linjës BPSAR, përfshirë aterimet.

Nënshkruesit: Grupi Lufthansa dhe kompania “Eurowings”, Autoriteti i Aviacionit Civil, Aeroporti i Prishtinës, Komandanti i KFOR-it.