Elon Musk po shpik një robot për “punët e rrezikshme”

Elon Musk po merret me ndërtimin e një roboti të ngjashëm me njeriun në pamje, i cili mund të prezantohet vitin e ardhshëm. Sipas tij roboti do të merret me punët e mërzitshme dhe të rrezikshme.

“Në thelb do të merret me punën që është e mërzitshme, e përsëritur dhe e rrezikshme.”, tha Musk pa dhënë detaje nësë roboti humanoid do të shitej apo sa do të kushtonte.

Robotët e ngjashëm me njerëzit kanë qenë prej kohësh tërheqës. Por krijimi i një roboti të ngjashëm me njeriun që mund të kryejë detyra njerëzore duket tepër i vështirë.

Musk e përshkroi robotin si një shtrirje të punës së Tesla për të ndërtuar automjete vetë-drejtuese. Ai tha se roboti do të përdorë të njëjtin çip kompjuterik dhe do të lëvizë me tetë kamera. Musk shtoi se roboti mund të bënte punë të ndryshme, duke përfshirë edhe pazarin.