Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump rikthehet në rrjetin social Twitter, pas vendimit të kompanisë së rrjeteve sociale, për të hequr “bllokimin” ndaj tij.
Llogaria e Trump u mbyll në janar të vitit 2021 pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Kapitol.
Vendimi erdhi pasi pronari i ri i Twitter, Elon Musk vendosi të organizojë një referendum online, nëse përdoruesit e rrjetit ishin pro apo kundër rikthimit të Trump.
Në referendumin që zgjati 24 orë morën pjesë 15 milionë persona, 52% e të cilëve ishin për rihapjen e llogarisë së Trump ndërsa 48% kundër.
“Njerëzit kanë folur. Trump do të rikthehet,” shkroi Musk në Twitter pas mbylljes së referendumit.
Megjithatë, Trump nuk ka shfaqur ndonjë entuziazëm për këtë vendim, duke thënë se dëshiron të qëndrojë në “Truth”, një rrjet social i themeluar prej tij.