Enver Hasani: Diskursi i presidentit diskriminues, duhet t’i shkruajë VV-së për Qeverinë e re

Profesori i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk është në rolin e tij.

Hasani ka thënë se Thaçi, tash kur është rrëzuar Qeveria Kurti, po përdor diskurs diskriminues, përjashtues. Po ashtu ka thënë se Kushtetuta e thotë qartë se si duhet të veprohet në këtë rrethanë.

“Diskursi që po e përdor presidenti është diskriminues, është përjashtues. Presidenti nuk mund të sillet si kapadai por brenda parametrave, ai në mënyrë absolute po del nga roli i tij, sepse ai nuk mund të formësojë apo dirigjojë vullnetin politik. Në rastin konkret nuk ka asnjë gjë të paqartë sa i përket formimit të Qeverisë sepse nuk ka ndryshuar asgjë me dy situatat e më hershme”, ka thënë Hasani.

Ai, i pyetur nëse duhet të bëhet Qeveria pa zgjedhje të reja, ka thënë “jo domosdo”. Ka dhënë arsyet për këtë.

“Jo domosdo, dhe kjo del prej arsyetimit që jap unë sipas rregullave të profesionit tim. Janë dy faktorë kyç pse lindin situata pak më absurde: faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. I brendshëm është sistemi jonë zgjedhor i cili asnjëherë nuk garanton veçse kompromis, faktor tjetër është se kultura politike këtu janë aq të acaruara dhe kjo po ka një çmim në formimin e koalicioneve. Faktori i jashtëm është se Kosova është çështje e sigurisë klasike, rajonale dhe më gjerë, dhe kur është një shtet çështje e sigurisë klasike atëherë rregullat mbi sundimin e Kushtetutës ose demokracisë kushtetuese devijojnë, shpeshherë ka shmangie nga to. Ky faktori i dytë më pastaj shumëzohet në faktin që ne jemi në një situatë kur marrëdhëniet euroatlantike, në fakt ne jemi pasojë, por janë probleme më të thella. Ato mosmarrëveshje kanë lidhje me politikën e jashtme amerikane dhe janë edhe më të hershme por tani janë shpërfaqur. Ky është kuadri i lejueshëm i asaj që e shohim në vështirësi demokratike. Çështja e formimit të Qeverisë është krejtësisht procedurale”, ka vlerësuar profesori i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai ka folur edhe për kohën kur ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe kur u interpretua ajo në rastin e rrëzimit të qeverive.

“Nuk ka asnjë ndryshim, sepse ne atëherë e kemi interpretuar nenin 95. Nuk mund të zbatohet sot pa aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është funksional që flet për formimin e qeverisë, flet pasi të ndodhin një palë zgjedhje. Nuk mund të gjesh në asnjë Kushtetutë që Qeveria mund të bëhet vetëm me një raund. Pjesa e dytë e paragrafit 88 flet për raundin e dytë dhe këto janë saktësisht të definuara. Ai aktgjykim i Kushtetutës i ka mbijetuar kohës dhe është testuar”, ka thënë Hasani.

Ai ka treguar edhe se si duhet të veprohet tash, pasi Qeveria është rrëzuar me mocion mosbesimi.

“Çështja është shumë e thjeshtë, ndjeket procedura e raundit të parë, që do të thotë se presidenti do i shkruajë letër Vetëvendosjes dhe të presë. Vetëvendosje hipotetikisht mund të propozojë një kandidat që do t’u konvenojë të gjithëve. Presidenti e ka diskrecionin zero, nuk ka të drejtë të bëjë as konsultime, e kjo është shkelje e standardit kushtetueses. Po, s’u respektua kjo fazë është shkelje kushtetuese. Shkelje tjetër është pozicioni neutral i kreut të shtetit. Ai mundet vetëm të koordinojë formën dhe përmbajtjen e vullnetit politik, e jo ta dirigjojë atë. Në cilën pjesë e Kushtetutës sonë shkruan që presidenti i Republikës ose monarku, që përveç koordinimit bën dirigjim të vullnetit politik”, ka thënë Hasani.